Administratori i Lushnjes flet para ndeshjes me Laçin, sfidë në të cilën verdhejeshilët do kenë mbështetjen e shumtë të tifozëve
Arjan Likja
“Më pëlqen dëshira dhe entuziazmi që kanë shprehur futbollistët tanë në lidhje me fitoren e padiskutueshme që kërkojnë të arrijnë të shtunën ndaj Laçit. Por unë i këshilloj që mos të ngatërrojnë dëshirën me realitetin”, kështu e ka nisur prononcimin e tij për “Sport Ekspres” numri një i klubit lushnjar, Irakli Zaka.
Më tej ai shtoi: “Duke pasur parasysh rezultatet e këtyre 6 javëve të para të kampionatit, realiteti tregon se diferencat ndërmjet pretendentëve për titullin kampion dhe ekipeve që kërkojnë qëndrimin në Superiore nuk janë shumë të mëdha. Prandaj unë përballjen tonë me Laçin e konsideroj si një takim me shumë rivalitet. Në të tilla ndeshje vlerësimi i shoqëruar me siguri të tepruar është shumë i dëmshëm, prandaj fitoren duhet ta kërkojmë me këmbë në tokë dhe jo se na pëlqen ne. Pa asnjë dyshim që pozicionimi ynë kritik në renditje kërkon vetëm 3 pikë të plota. Në të tilla raste, kur domosdoshmëria e rezultatit është e pashmangshme, duhet bërë një punë e madhe me futbollistët në aspektin psikologjik dhe stafi teknik po punon shumë. Presioni i rezultatit duhet të mos bëhet pengesë në lirshmërinë e lojës tonë, prandaj lojën e fortë me grintë dhe disiplinë taktike duhet ta shoqërojmë edhe me një lojë të qartë e efektive në manovrën mbrojtëse dhe sulmuese. Ne si zyrtarë po bëjmë përpjekjet maksimale për të vënë në dispozicion të ekipit çdo mundësi tonën që stafi teknik ta përgatisë në kushte sa më profesionale këtë takim. Jo pa qëllim këtë javë stërvitore anti-Laçi ne kemi lejuar ekipin që të stërvitet në fushën ku edhe do të luhet kjo ndeshje”.
TIFOZËT – “Më shumë se kushdo tjetër triumfin ndaj Laçit e kërkojnë tifozët tanë, të cilët nuk e meritojnë të shohin ekipin e tyre të zëmrës në fund të tabelës. Nga të dhënat që disponoj, pritet që të shtunën në shkallët e stadiumit ‘Roza Haxhiu’ numri i tifozëve tanë do jetë më i madh se ai i ndeshjes me Kukësin. Ky fakt do të jetë një faktor mjaft pozitiv për motivimin e futbollistëve tanë, pasi dihet se çfarë përkrahje të fuqishme të jep tifozëria jonë në fushë. Por kjo shton edhe më shumë përgjegjësinë për të zhvilluar një lojë të bukur në funksion të realizimit të fitores tonë të parë. Edhe unë bëj pjesë tek ata njerëz që besojnë tek mundësitë reale që ka Lushnja për të mposhtur Laçin. Gjithsesi i ngelem fanatik mendimit se 3 pikët që kërkojmë mund të merren vetëm me punë dhe larg euforisë”, ka përfunduar Zaka.