Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, ka analizuar qetësisht barazimin kundër Partizanit të Beogradit, duke e pranuar se më shumë se kaq nuk mund të bëhej. Shumë mungesa, kombinuar me dëmtimin e Radasit dhe më pas problemet e disa lojtarëve, bënë që në fund Skënderbeu të kënaqej me një pikë, duke vuajtur pak në fund. Trajneri i korçarëve, gjithsesi, sheh një renditje mjaft pozitive dhe gjithçka mbetet e hapur për në ndeshjet e mbetura, duke nisur nga kthimi në Beograd. Aty, Daja nuk ka fare frikë, përtej atmosferës që do të krijohet.
“Nëse fitonim, do të dilnim të gjithë për darkë, ndërsa tani mbetemi vetëm te Redbulli. Është batutë, sepse realisht nuk kishim shumë mundësi për të bërë më tepër se kaq. Kishim mungesa, na u dëmtua një lojtar i rëndësishëm që në fillim dhe patëm probleme me disa lojtarë në fund, ndaj duhet kujdes, sepse nëse bën zëvendësime shpejt, mund ta mbyllësh edhe me 10 lojtarë. Duke parë që kundërshtari po fitonte terren, menduam që ishte më mirë të mbronim barazimin, duke parë ëq edhe në Kiev përfundoi në barazim dhe skuadrat qëndruan brenda objektivit. Jam i kënaqur për pjesën më të madhe të lojës, sidomos te faza mbrojtëse, sepse një ndër armët më të forta të kundërshtarit është kundërsulmi dhe duhej kujdes. Në Europë, nëse pëson gol, është shumë e vështirë të përmbysësh.
“Mungesat? Gavazaj dhe Nimaga janë lojtarë shumë të rëndësishëm për ne dhe nëse do t’i kishim në dispozicion, nuk do të detyroheshim të bënim aq shumë lëvizje në skuadër dhe në vendosje. Nuk dëshironim të rrezikonim me Sahitin, që kishte disa probleme shëndetësore, ndërsa Demte është lojtar i talentuar, por i ri dhe pa eksperiencë në këto nivele.
“Soue dhe Xhejms bënë një volum shumë të madh në sulm, por duhej një punë më e madhe nga skuadra për të mbuluar hapësirat që krijonin ata. Në situatën e Xhejmsit, mendoj se bëri veprimin e duhur kur doli i vetëm në sulm dhe po shkonte drejt portës, por nuk pati fat në lëvizjen e fundit.
“Nuk kemi pësuar gola dhe kemi luajtur në presing shumë lart, që në mesfushë e lart. Për fat të keq, ne nuk punojmë me “karburant” cilësor në Shqipëri, nuk kemi kushtet e duhura për të mbajtur lojtarët në formë perfekte qoftë në stërvitje, qoftë në lojë.
“Kthimi në Beograd? Do të jetë një atmosferë e nxehtë, mund të jetë avantazh prë Partizanin, por vetëm nëse do ta menaxhojnë si duhet, sepse përndryshe edhe ne do të kemi shanset tona në kundërsulm. Do të jetë e vështirë, por ne kemi treguar që edhe jashtë fushe mund të luajmë shumë mirë, edhe ndaj rivalëve si Partizani i Beogradit dhe Jang Bojs.
“Soue lodhet shumë? Soue sigurisht që do të shpenzojë energji, sepse i duhet të bëjë presing lart, për të marrë topa nga skuadra.
“Atmosfera në Beograd? Sa i përket kthimit në Beograd, por e them thjesht fare: As e çoj nëpërmend frikën në Beograd”.