Bizhyti: Në Korçë për pikë, frikë vetëm nga gjyqtarët

Mbrojtësi me eksperiencë i formacionit lushnjar, Alban Bizhyti, do të luajë titullar në transfertën e sotme ndaj “Ujqërve të Dëborës”, pasi zëvendëson Xhafën e dëmtuar. Biondi shtatlartë i prapavijës së Lushnjes thekson se ekipi i tij nuk do të shkojë për të kryer formalitetin e radhës ndaj korçarëve. Përkundrazi, veterani i verdhejeshilëve pohon se ndaj Skënderbeut myzeqarët do të shkojnë me objektiv të qartë: “Ndeshja me Kukësin, përveç humbjes, na ka lënë edhe pasoja të tjera, të cilat do detyrohemi t’i vuajmë në vazhdimësi. Kështu, përveç portierit Spaho të pezulluar, ne do mundohemi të “arnojmë” edhe dy mungesat e mbrojtësit Xhafa dhe mesfushorit Branica. Gjithsesi, dëmtimet dhe skualifikimet janë pjesë e pandarë e garës, ndaj ne nuk duhet të justifikohemi me këto mungesa të imponuara. Besoj se trajneri ynë do të arrijë të rikuperojë dhe të ndërtojë një formacion konkurrues, i cili do të dijë të shprehë vlerat e tija në funksion të objektivit që ne kemi në këtë transfertë mjaft të vështirë. Ne nuk do shkojmë në Korçë për të kryer një ballafaqim formal. Përkundrazi, ne kemi objektiv që të mos dalim pa pikë nga stadiumi korçar. Natyrisht, është një objektiv mjaft i vështirë, por jo i pamundur. E rëndësishme është që rezultatin përfundimtar ta vendosë fusha dhe jo gjykimi si në “Roza Haxhiu” ndaj Kukësit”, ka deklaruar mbrojtësi qendror i Lushnjes, Alban Bizhyti.

Mungesat – Myzeqarët e Artan Banos do të ballafaqohen në këtë transfertë me tre mungesa mjaft thelbësore në formacionin bazë. Kështu, përveç gardianit Mikel Spaho, i cili do të vuajë penalizimin e kartonit të kuq të marrë në takimin paraardhës, verdhjeshilët do të vuajnë edhe mungesën e liderit të mbrojtjes së tyre Erion Xhafa si dhe të mesfushorit peqinas Klejdis Branica. Xhafa dhe Branica kanë pësuar dëmtime serioze në takimin paraardhës ndaj Kukësit dhe sipas burimeve të brendshme të stafit mjekësor të Lushnjes, lojtarët do t’u mungojnë për një kohë të gjatë formacionit të Banos në fushën e blertë. Xhafa mendohet të ketë dëmtuar rëndë meniskun e gjurit të djathtë, i cili parashikon një afat rikuperimi 6 muajsh. Ndërkohë mesfushori Branica ka këputur klavikulën e shpatullës së majtë dhe koha minimale e rikuperimit parashikohet në muajin janar të vitit tjetër kalendarik.

Akomodim në Korçë – Tekniku i verdhjeshilëve Artan Bano ka zhvilluar në mesditën e djeshme seancën e fundit stërvitore në kuadër të transfertës së “ferrit” në Korçë. Kjo seancë stërvitore me minutazh të reduktuar, e zhvilluar në tapetin e ri të stadiumit “Roza Haxhiu” ka pasur më shumë karakter shkrydhës. Menjëherë pas përfundimit të kësaj seance stërvitore, ekipi i futbollit i ka hipur autobusit për të udhëtuar drejt Korçës. Verdhjeshilët janë sistemuar në mbrëmje në “qytetin e serenatave” në kompleksin “Grand Hotel”.

Formacioni i mundshëm i Lushnjës

Bejte – Magani, Bizhyti, Marku, Mone – Ruço, Gava, Papa – Canka, Pepa – Sefa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *