Juliano: Bëmë gabime të pafalshme, Bardhi ishte i shkëlqyer

Trajneri i Partizanit Mark Juliano i gëzohet fitores së parë në Superiore, me suksesin e vuajtur në Durrës. Edhe vetë italiani e pranon se pati fat dhe se loja ishte sërish larg asaj të kërkuar, por është i lumtur për fitoren dhe karakterin: “Jam i kënaqur për shumë gjëra. Së pari, sepse kam në dispozicion një skuadër që ka karakter dhe kërkonte të ma tregonte këtë. Nuk ishte e lehtë, kemi bërë shumë gabime, duke fituar me përmbysje e duke kaluar nga ferri në parajsë brenda një takimi. Kemi bërë shumë gabime, të thjeshta në dukje, ia kemi vështirësuar gjërat vetes, por të paktën fituam dhe treguam karakter. Prishëm edhe një mallkim, në fund të pjesës së parë goli çliroi skuadrën, që priste me padurim të kthehej në fushë. Në fund mendoj se e merituam fitoren.

“Penalltia që humbi Teuta? Shiko, nuk e di ç’të mendoja, sepse në fushë pashë gabime me të vërtet banale nga ana jonë. E shihja që lojtarët dëshironin të luanin futboll, të luanin me top e të fitonin, por ishin të bllokuar dhe rastet e Teutës krijoheshin për fajin tonë, për dhuratat tona. Mendoj se e dominuam ndeshjen, por ai gol në fund të pjesës së parë ishte me shumë rëndësi, sepse e mbajti të hapur ndeshjen dhe na dha entuziazëm, duke dominuar në pjesën e dytë.

“Qetësi e rigjetur? Po, na duhej patjetër ta tregonim veten sot. Kemi bërë ndryshime edhe në përgatitje fizike, për të rikuperuar disa lojtarë, duke nisur nga Adorjan. Sot luajtën mirë, të gjithë, jemi të kënaqur që më në fund kemi fituar.

“Skuadra shumë e gjatë në fushë, duke lënë shumë hapësira? Në fakt, po, është e vërtetë. E thashë edhe më parë që bëmë shumë gabime, edhe mbrojtësit nuk vendoseshin mirë, ndërsa kërkohej shpesh topi i gjatë. I përmirësuam me kalimin e kohës disa probleme dhe morëm rezultat.

Loja jo e mirë? Partizani është një skuadër që duhet të luajë gjithmonë mirë, por ka momente kur gjërat nuk shkojnë mirë dhe bëhen gabime banale, ndaj rivali përfiton dhe vë në vështirësi skuadrën.

Forma e Partizanit? Nuk është e lehtë të jap përqindje të formës, skuadra nuk ecën në mënyrë të njëtrajtshme, disa lojtarë janë më mirë, disa më pas, është detyrua ime të gjej mënyrën për ta çuar skuadrën në 100%. Kemi lojtarë që ende nuk janë përshtatur, në një futboll mjaft të vështirë dhe të ashpër. Uroj që të kapim maksimumin sa më shpejt, edhe pse synimi i fazës përgatitore është kapja e formës maksimale për të garantuar gjithë sezonin, jo sprintin fillestar.

“Bardhi? Është lojtar shumë cilësor, që të thyen ndeshjen në mes kur futet. Uroj që të luajë gjithnjë kështu, por është e vështirë që ta ketë këtë rendiment gjithmonë, nëse luan titullar. Bardhi është një lojtar shumë i talentuar, por ndoshta nuk e ka kuptuar ende ç’do të thotë që të jesh futbollist profesionist i nivelit të lartë. Për këtë arsye kam që në verë që bëj luftë me të, për ta bindur për cilësitë dhe atë që mund të bëjë. Isha me fat që e pata në dispozicion dhe e hodha në fushë në pjesën e dytë, sepse gjatë javës nuk ka qenë me ne për shkak të ndeshjes me kombëtaren U-21 dhe ishte pak i lodhur.

“Maksimumi i Partizanit? Më vjen keq që e kemi nisur ngadalë, ndoshta duhej të kishim ndonjë pikë më shumë, por edhe kampionati është mjaft i vështirë, skuadrat mbyllen pas dhe presin kundërsulmin. Jemi ende në punë e sipër për të gjetur formacionin dhe vendosjen e duhur.

“A ka pasur ultimatum para ndeshjes? Në projekte të rinj nuk është asnjëherë e lehtë dhe suksesi nuk është i menjëhershëm. Është normale që të ekzistojnë dyshime kur mungon suksesi, aq më shumë që Partizani është një ambient i nxehtë dhe kërkon gjithnjë fitore. Megjithatë, unë jam mësuar me presionin dhe di ta përballoj, ndaj e prisja që të kishte presion për fitore sa më shpejt”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *