Kamza i ka dhënë fund dje përgatitjeve për ndeshjen me Luftëtarin dhe më pas është nisur drejt qytetit të Gjirokastrës, aty ku futbollistët dhe stafi kanë kaluar natën. Skuadra e drejtuar nga Ramadan Ndreu kërkon të marrë pikë në këtë transfertë të rëndësishme, ndaj edhe gjatë kësaj jave tekniku krutan ka dhënë porosi vazhdimisht për lojtarët e tij. Deri më tani Kamza nuk ka marrë asnjë fitore, por është shfaqur një skuadër e vështirë për t’u mundur, që edhe pse është gjendur në disavantazh ka mundur të barazojë dhe të marrë pikë.
Kjo ka ndodhur në dy ndeshje, fillimisht me Skënderbeun kur shënoi Ermir Rezi, si dhe në ndeshjen me Teutën, me Raçiç që barazoi me penallti. Sfida e fundit me durrsakët ka bërë që të ketë njëfarë keqardhjeje te Kamza për mungesën e fitores, por gjatë periudhës së pushimit të kampionatit është punuar për t’u harruar gjithçka ka ndodhur në ndeshjet e para të kampionatit dhe i gjithë fokusi të jetë te ndeshja me Luftëtarin. Gjirokastritët janë shfaqur një ekip më solid në prapavijë këtë sezon, teksa nuk kanë pësuar në tre ndeshjet e fundit, por një prej dobësive të tyre është fakti që e kanë të vështirë të gjejnë rrugën e rrjetës kur kanë përpara ekipe të organizuara dhe të rreshtuara mirë.
Kur luajnë në shtëpi ata kanë shfaqur vështirësi, kjo ka ndodhur edhe sezonin e shkuar. Vllaznia në sfidën e fundit arriti t’i marrë pikë, madje ishte ajo që kishte mundësitë më të mira për të shënuar, ndaj kjo e motivon Kamzën për të shkuar te rezultati pozitiv. Pikërisht duke luajtur të qetë dhe të organizuar, skuadra e Ndreut do tentojë të mos dalë pa pikë nga Gjirokastra. Siç edhe dihet, Kamza në këtë ndeshje vuan mungesat e Plakut, Mehmetir dhe Mustafës.
Formacioni i mundshëm: Halilaj, Idrizaj, Fushtar, Kuqi, Neziri, Fukui, Arrabal, Zefi, Ymeraj, Rezi, Raçiç