Mbrojtësi: Kemi gabuar me Flamurtarin dhe Kamzën. S’flasim për objektiva, pasi duam vetëm të punojmë
Teuta do të luajë kundër Partizanit ditën e mërkurë. Kampionati pas pushimit për shkak të ndeshjeve të kombëtares do të rezervojë një sfidë mjaft impenjative për durrsakët. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, futbollisti i durrsakëve, Silvester Shkalla, foli për vështirësinë e sfidës, por edhe për objektivat që ka Teuta në këtë sezon. Mbrojtësi ka shpjeguar edhe oshilacionet e skuadrës në dy javët e fundit të kampionatit, pasi ka humbur në shtëpi me Flamurtarin dhe barazoi me Kamzën në një sfidë me lojë të dobët.
OSHILACIONET – Ai e shpjegon me lodhje rezultatet e dobëta. ”Nuk mund të themi se ka diçka që nuk shkon. Ne nuk luajtën në maksimumin tonë, nuk e di se çfarë ndodhi. Mbase ndikoi edhe lodhja. Na vjen keq që lamë pikë, sidomos humbja me Flamurtarin në stadiumin tonë. Gjithsesi, tani nuk kemi kohë të qajmë pikët e lëna, por të mendojmë për ndeshjet e ardhshme dhe të bëjmë maksimumin për t’i fituar”.
PARTIZANI – Shkalla vlerëson “demat” dhe nuk mendon se ecuria e tyre e dobët do të ndikojë në paraqitjen e tyre. “Nuk do të mendojmë për formën e tyre aktuale, pasi nuk duam të shpërqendrohemi. Nuk i nënvlerësojmë, pasi e dimë se kanë një grup me elemente cilësorë në përbërje. Ne duam ta fitojmë këtë ndeshje, po ashtu si ekipi i tyre. Jemi duke punuar gjatë gjithë javës dhe po studiojmë edhe kundërshtarin, besoj se do të ia dalim me sukses. Ne duam të bëjmë kthesën në kampionat”.
OBJEKTIVAT – Të flasësh për objektiva në skuadrën e Teutës është thuajse e ndaluar, pasi është vetë trajneri Magani që kërkon të mbajë me këmbë në tokë dhe të karikuar lojtarët e tij. “Nuk duam të flasim për objektiva, pasi është ende herët. Ne do të bëjmë kampionatin tonë dhe më pas do të shohim pas gjysmës së tij se ku do të përfundojmë. Nuk duam të mendojmë për Kupa të Europës, duam të punojmë dhe të përfundojmë sa më lart në tabelën e klasifikimit”.