Në vetëm pak ditë përfaqësuesja e Shqipërisë do të sfidojë dy kampione bote. Kuqezinjtë do të masin forcat me Spanjën sot në mbrëmje dhe Italinë vetëm pas tri ditësh. Nëse në fokusin e të besuarve të Kristian Panuçit është vetëm ndeshja e sotme, tifozët krahas takimit të sotëm, ku si gjithnjë do të jenë në mbështetje të shqiponjave, nuk kanë se si të lënë jashtë vëmendjes dhe ndeshjen e fundit të kualifikueseve. Siç bëhet e ditur të gjitha biletat për ndeshjen me “të kaltrit” janë shitur në kohë rekord. Plot tre ditë para ndeshjes tashmë nuk ka më asnjë biletë në dispozicion të fansave kuqezi. Siç dihet në këtë takim do të jetë dhe lamtumira e ish-Kapitenit Lorik Cana nga Kombëtarja. Për t’u përmendur fakti se tifogrupi “Tifozët Kuqe e Zi” sërish do të bojkotojnë këtë takim, megjithatë stadiumi do të jetë në kapacitetin e tij maksimal, përballë katër herë kampionëve të botës. Një armë më shumë kjo për Kombëtaren Shqiptare, e cila do të kërkojë një rezultat pozitiv, përballë një nga skuadrave më të forta në planet.