E pabesueshme: Argjentina është ndalur sërish, këtë radhë nga Peruja, dhe rrezikon gjithnjë e më shumë ta shohë Botërorin nga shtëpia.
Pas 20 vitesh, Argjentina u kthye në legjendarin Bombonera, por as shtëpia e Boka Zhuniors nuk mjaftoi.
Zero gola, edhe pse trajneri Horge Sampaoli ndryshoi skemë dhe lojtarë, duke shpresuar te gjenialiteti i Mesit.
Ky i fundit tentoi gjithçka, por ishte gjithnjë i mbuluar rreptë dhe shpesh detyrohej të kthehej në mesfushë për të marrë topin. Sulmuesi kryesor Benedeto ishte një dështim, ndërsa Dibala e Ikardi shihnin nga stoli.
Presion konstant, raste e një shtyllë, super portier i Perusë dhe mbrojtje perfekte: gjithçka çoi te një 0-0 që shton makthet e Argjentinës, e cila tashmë zbret e gjashta.
Fat i madh: Paraguai fitoi 2-1 në Kolumbi, ndaj me një fitore në Ekuador Argjentina shkon të paktën në play-off, që do të ishte mrekulli, duke parë se me Sampaolin nuk ka fitore, por as gola. Ekuadori nuk shpreson më, por Argjentina ka gabuar edhe ndeshje më të lehta deri tani.