Moduli e alternativat, te Kukësi ka diçka që nuk shkon

Ndryshimet e mëdha në krahasim me sezonin e shkuar po ndikojnë, përballë Skënderbeut kampionët nuk treguan personalitet të qëndrueshëm

Jurgen Zela

Pesë gola të shënuar dhe dy të pësuar, 2 fitore, një humbje dhe një barazim, mund të mos jetë një nisje e keqe, por kur bëhet fjala për kampionët pritej diçka më shumë. Me objektiva më të mëdha sezoni i shkuar, kur arritën që të rrëmbenin titullin kampion, Kukësi ka dëshirën, por realizimi mbetet ende larg. Është dashur një humbje në shtëpi me Skënderbeun, për të evidentuar disa problematika të verilindorët, të cilët përballë korçarëve nuk u sollën si kampionë, ndoshta ende me hijen e asaj ndeshje të fundsezonit të shkuar, edhe pse në fushë ishin shumë pak lojtarë që e kishin mbyllur edicioni. Në modul Kukësi nuk ka ndryshuar asgjë nga ai i sezonit të shkuar, ku në ven të Pejiç ka ardhur Alijev, në të Eminit kryeqytetasi Bakaj dhe nga krahët Guri ka pasur Dvornekoviçin, ndërsa Kale ka zëvendësuar patriotin e tij Karioka. Deri këtu duket gjithçka në rregull, por disa nga lojtarët e vijës së sulmit, nuk po arrijnë të gjejnë vetveten, me përjashtim të Bakajt dhe Kales që janë përshtatur më së miri në rolet e tyre. Nuk do të jetë çudi që në ndeshjet e ardhshme të shohim një skemë ndryshe, ose së paku spostime lojtarësh. Kualiteti në sulm nuk mungon aspak, teksa Guri, Bakaj, Alijev dhe Kale janë emra premtues, por deri më tani, tre realizime i takojnë Bakajt dhe një Kalesë. Nga pesë gola, dy janë shënuar nga pika e 11-metërshit, një është shënuar si autogol, Kale realizoi një supergol, por të pavullnetshëm, pasi e pranoi vetë që donte të krosonte, ndërsa vetëm një gol është shënuar në rrjetë aksioni. Pak për një skuadër kampione që synon të përsërisë suksesin. Diçka nuk shkon dhe e mira është që të gjendet sa më parë zgjidhja.

ALTERNATIVAT

Një nga dëshirat e mëdha të teknikut Mlladen Milinkoviç ishte rikthimi i Albi Allës dhe jo pa arsye. Alla dhe Shameti së bashku formojnë një dyshe në kufijtë e perfektes, por nëse njëri prej tyre mungon duket se situata menjëherë bëhet e paqëndrueshme. Rustem Hoxha, lider te Teuta, duket se ende nuk është sinkronizuar plotësisht me skuadrën dhe i duhet ende kohë. Në sezonin e shkuar, Alla dhe Shameti së bashku në kampionat dhe Kupë numëronin saktësisht 22 ndeshje, ku janë pësuar 10 gola, 5 prej të cilëve në tre përballjet e sezonit të shkuar me Luftëtarin. Me të dy këto futbollistë në fushën e lojës, Kukësi ka humbur vetëm një takim, në javën e fundit me gjirokastritët sezonin e shkuar. 14 ndeshje kanë përfunduar pa pësuar gol: nuk janë pak dhe duket se binomi i qendrës së mbrojtjes funksionon. Hoxha është një alternativë, por veç tij duket se nuk ka asnjë zëvendësues dhe në Kukës shpresojnë që të mos ketë dëmtime apo pezullime. Mangësi në alternativa vihen re dhe në repartin e sulmit, teksa për të kryer një zëvendësim nuk ndodhet asnjë sulmues në pankinë. Ndoshta Kukësi duhet të ndryshojë diçka në stilin e lojës. Në fillim të edicionit u premtua lojë e bukur dhe rezultat, por të gjithë e dinë se për presidentin Gjici rëndësi fillimisht ka kjo e dyta dhe më pas duhet të spektakli, pasi trofetë janë i vetmi shpërblim për bosin kuksiane dhe asgjë tjetër nuk ka justifikim. Deri në janar shpresa e vetme është që Alijev të gjejë veten në fushë dhe të nisë të nderojë Kukësin, por dhe dyshja Shameti-Alla të jenë së paku në ndeshjet e mëdha në fushë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *