Trajneri i Spanjës: Duhet të flasim për futboll, jo politikë. Luajmë për Botërorin dhe s’dua të flitet për gjëra të tjera. Kundërshtari ka cilësi. Pres ambient ideal, jo protesta
“Pike është shumë i motivuar dhe kritikat nuk e trembin apo prekin”. Hulen Lopetegui, i cili sipas Kristian Panuçit duhet të bëjë një gjumë shumë herë më të qetë se trajneri i Shqipërisë, pavarësisht mungesave, ka folur në konferencën për shtyp, duke shpjeguar se ajo që po ndodh në Barcelonë dhe në Katalonjë, nuk duhet të ndërhyjë në mendjen e futbollistëve të tij dhe se “ndeshja përballë Shqipërisë është e vetmja gjë e rëndësishme për momentin dhe për të cilën duhet të mendojmë. Detyra ime është që të përzgjedh dhe menaxhoj futbollistët dhe jo të merrem me atë që kanë bërë apo çfarë i ka shkuar ndër mend. E përsëris, rasti i Pikesë është delikat, me lojtarin kam folur dhe e kam parë më të motivuar se kurrë.
Nuk mund të rrëfej bisedën private që pata me të, por ishte në linjë me fakti që kur jemi në kombëtare duhet të jemi të bashkuar në stërvitje dhe kudo. Duhet të fitojmë ndaj Shqipërisë, një skuadër e mirë që do të vijë me një iluzion të tmerrshëm. Duhet të jemi të përgatitur për këtë ndeshje”. Më pas, Lopetegui ndalet edhe te rëndësia e ndeshjes thekson se “Spanja ende nuk është kualifikuar dhe ndaj duhet t’i marrim gjërat hap pas hapi. Duhet të gjejmë ambientin më të mirë të mundshëm për të qenë të qetë dhe fituar ndaj Shqipërisë, duke luajtur ashtu si dimë. Nuk mund të hedhim poshtë mundin e një viti e gjysmë pas këtyre që po ndodhin tani.
Kemi nisur javën ku do të përgatisim dy ndeshje të rëndësishme dhe nuk dua më të flitet për atë që ndodh jashtë fushe. Madje, i kërkoj edhe një nder medieve që të mos merren me gjëra që nuk i përkasin futbollit. Nuk dua të lëshoj ndonjë mesazh apokaliptik, por thjesht dua të them se luajmë për të shkuar në Botëror dhe të gjithë duhet të kuptojnë rëndësinë dhe të mos e kthejnë këtë ndeshje në formë proteste. Futbolli është një lojë që bashkon njerëzit dhe jo që ndan. E mbyll duke thënë se Pike është një djalë dhe futbollist i shkëlqyer, që për 16 vjet i ka shërbyer kombëtares së tij duke dhënë më të mirën dhe do të vazhdojë ta bëjë”.
Në fund, Lopetegui tregoi se pse nuk e ndali stërvitjen dhe vijoi me dyer të mbyllura: “Sepse njerëzit kanë të drejtë të protestojnë, por ne nuk mund të ndalojmë punën, sepse kemi objektiva”.