Juliano ka preferuar të riun duke lënë në stol Sukajn. Progni do ta nisë si mbrojtës i djathtë. Xhixhiua është titullar. Krasniqi preferohet përpara Ibrahimi. Skema 4-3-3
Trajneri Mark Juliano vazhdon të ndryshojë formacionin e Partizanit nga ndeshja në ndeshje. Tekniku i kuq ka vendosur edhe për titullarët që do të hedhë në fushë për ndeshjen kundër Lushnjes. Sigurisht, një sfidë që në letër shihet si shumë e lehtë dhe myzeqarët janë “kundërshtari i duhur” për kryeqytetasit në këtë moment, por nëse gjithçka kthehet në bumerang atëherë te Partizani plas “stuhia”. E fundit që mendohet!
Ditën e djeshme, skuadra i ka dhënë fund përgatitjeve me seancën e zhvilluar në qendrën e ekipeve kombëtare në Kamëz. Numri një i pankinës ka dhënë edhe udhëzimet e fundit për futbollistët e tij, ndërkohë që ka zgjidhur edhe dilemat për formacionin.
Dilemat në mbrojtje dhe në sulm kanë lënë disa të pakënaqur, por janë bastet e teknikut italian.
MBROJTJA – Në mbrojtje ka pasur lëvizje të rëndësishme për këtë javë. Takimi ndaj Lushnjes do të gjejë nga minuta e parë në portë Alban Hoxhën. Në krahun e djathtë i besohet Prognit, një emër që mbase po e nis për herë të parë në karrierës i mbrojtës. 39-vjeçari është provuar në atë pozicion në ndeshjen ndaj Naftëtarit dhe ka bindur teknikun Juliano. Në krahun e majtë do të jetë Kotobelli, i përhershëm tani në formacionin e Partizanit. Në qendër ka përsëri ndryshime, pasi Krasniqi ka parakaluar në momentin e fundit Ibrahimin. Kosovari u planifikua si titullar gjatë javës, por në fund është preferuar shtatlarti para tij.
MESFUSHA – Mesfusha nuk ka ndryshime. Kapiteni Batha do të luajë nga minuta e parë i shoqëruar nga La Kamera dhe Trashi. Ky i fundit rikthehet në këtë sektor të fushës, pasi në sfidat e më pashme ka luajtur më i avancuar.
SULMI – Shumë mirë Juliano mund të hyjë sot në dhomat e zhveshjes dhe kur të afishojë formacionin titullar të bërtasë: Surprizë! Ashtu është vërtetë. Italiani ka vendosur në krahun e djathtë Adorjanin, nuk sjell habi pasi ka luajtur titullar në çdo sfidë. Në krahun e majtë është preferuar Xhixhiua. Kamerunasi ka bindur teknikun Juliano dhe ky i fundit i ka besuar fanellën e titullarit, por “qershia mbi tortë” është Bardhi. 219-vjeçari do të luajë në majë të sulmit duke ulur në stol as më shumë e as më pak, por Xhevahir Sukajn. Shkodrani do ta nisë edhe sot nga stoli, duke i lënë vendin Bardhit. I riu ka bërë mirë dhe paraqitjet e tij kanë surprizuar edhe vetë Julianon duke i “vjedhur” formacionin.
Formacioni i mundshëm i Partizanit
Hoxha
Progni Krasniqi Atanda Kotobelli
Batha La Kamera Trashi
Adorjan Bardhi Xhixhiua