Flamurtari kthehet me këmbë në tokë, Luftëtari i merr pikë në Vlorë

90 minuta të mira në Durrës krijuan përshtypjen se Flamurtari ishte kthyer në rrugën e duhur dhe ishte sezoni i mbarë për të bërë gjëra të mëdha. Ndoshta do të ndodhë, por është herët për ta thënë dhe nuk duhet kaluar në eufori për një fitore jashtë fushe.

Sot Flamurtari u ndal te barazimi pa gola në Vlorë nga Luftëtari, në një ndeshje zhgënjyese. Pak lojë, pak raste, shumë gabime dhe ritëm i ulët, sidomos për një orë.

Flamurtari nuk kishte vrull dhe presingu ishte zero, ndaj Luftëtari e pati shumë të lehtë të kontrollonte gjithçka, duke u mbrojtur me kujdes dhe duke kundërsulmuar sa herë i jepej rasti. Me një skuadër të vendosur mirë në fushë dhe me Bregun e Abazajn që bënin edhe mbrojtësin kur duhej, Luftëtari nuk vuajti aspak në pjesën e parë dhe rastet ishin me pikatore, ndërkohë që porta vlonjate u vu në vështirësi në disa momente.

Në pjesën e dytë sërish i njëjti ritëm, ndërkohë që vazhdonin dëmtimet dhe zëvendësimet e detyruara te Flamurtari, që vetëm në 20 minutat e fundit të ndeshjes e rriti ndjeshëm ritmin e lojës dhe u pa qartë që Luftëtari do të vuante në fund.

Situatat e rrezikshme erdhën, Flamurtari pati disa raste, por asnjë gol, sa për faj të vet, e aq për meritë të Luftëtarit, që nuk e humbi asnjëherë toruan, duke marrë një pikë të çmuar në një fushë të vështirë, ku vjet pësoi vetëm humbje.

Kategoria Superiore – Java 4
E shtunë, më 30 shtator, ora 17:00
Stadiumi “Flamurtari”, Vlorë

Flamurtari – Luftëtari      0-0

Flamurtari: Nurkoviç, Siljanovski, Bicaj, Jakovljeviç, Musta (Mersini 60′), Pollozani, Sidibe, Useini (Liçaj 24′), Alvesh, Kamara (Zhufo 46′), Bushiç. Trajner: Shpëtim Duro

Luftëtari: Miraka, Toledo, Rapa, Beqiri, Rapo, Ramadani, Aleksi, Brahimaj (Rroca 58′), Bregu (Hoxha 90’+3), Abazaj, Lamçja (Nunjez 72′). Trajner: Daniel Fernandez

Kartonë të verdhë: Useini 15′, Sidibe 39′, Jakovljeviç 67′, Bicaj 74′ / Aleksi 21′, Toledo 48′, Miraka 89′, Rroca 90’+2

Gjyqtarë: Enea Jorgji, Emigers Gançi, Astrit Mahmuti, Fatjon Xhemalaj

Delegat: Besnik Cela; Vëzhgues: Arjan Mali

KRONIKA

89′ Zhufo humbet një rast të shkëlqyer. Bushiç në zonë pasoi një top për Zhufon, që me të djathtën goditi fort, por shumë lart mbi traversë.

80′ Siljanovski i pandalshëm nga e djathta, kros në zonë, por gjuajtja e Bushiç devijohet në këndore. Kros tjetër në zonë, ku Bicaj me kokë godet paksa jashtë. I pafat mbrojtësi i Flamurtarit.

71′ Në një pjesë të dytë mediokre, Liçaj ka shansin e golit si “ish”. Në hyrje të zonës, në një pozicion mjaft të mirë, godet lehtë dhe paksa mbi traversë. Rasti më i mirë i ndeshjes.

PUSHIMI I NDESHJES 45 minuta të dobëta, pa asnjë emocion e ritëm. Flamurtari nuk është në ditën e vet më të mirë, Luftëtari e ka të lehtë të mbrohet mirë e të kundërsulmojë.

42′ Goditje nga këndi për Flamurtarin, Bushiç gjuan me kokë, por pret Miraka. Vuan shumë për të krijuar situata goli Flamurtari.

28′ Gjithnjë e më i rrezikshëm Luftëtari. Dejvi Bregu lëshon një gjuajtje të fortë nga distanca, pret në dy kohë Nurkoviç. Sërish pak më vonë një predhë nga jashtë zone dhe Nurkoviç fluturon, për të devijuar në këndore.

24′ Zëvendësim i detyruar te Flamurtari, Useini dëmtohet pas një faulli nga Aleksi. Futet Liçaj. Ritmi i lojës mbetet i ulët.

11′ Luftëtari afrohet rrezikshëm, me një gjuajtje nga distanca që pritet nga portieri Nurkoviç.

5′ Vjen rreziku i parë në portën gjirokastrite. Kros nga e majta e sulmit vlonjat, Bushiç me kokë devijon lehtë, por jashtë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *