Shehi feston ditëlindjen: Fitorja e fundit, dhuratë edhe për Jashanicën e Muzakën

Portieri dhe kapiteni i Skënderbeut e ka shtyrë edhe për pak tërheqjen nga futbolli i luajtur: Me Partizanin ishim në nivelin e duhur

Leonard Trebicka

Mendoi tërheqjen nga futbolli i luajtur, por të gjithë i kërkuan të vazhdonte, që nga drejtuesit e klubit e deri te tifozët. Sot mbush plot 40 vjeç, por duket ende shumë i ri dhe gëzon një formë të shkëlqyer. Ka 7 vjet në Korçë dhe mbetet një pikë shumë e rëndësishme e skuadrës, duke ndikuar jo pak edhe në suksesin evropian. Në një intervistë për “Sport Ekspres” Shehi tregon gjithçka për këto 23 vjet karrierë, tregon sulmuesin më të rrezikshëm, idhullin e portës etj. Kapiteni i korçarëve thekson se fitorja me Partizanin nuk ishte vetëm për të, por edhe për Jashanicën, i cili gjithashtu ka ditëlindjen, kurse Muzaka e ka nesër.

– Shehi, e kishit menduar më parë se do të luanit deri në moshën 40-vjeçare?

– Sigurisht që nuk e kam menduar kur nisa të luaj futboll. Kam qenë në një moshë shumë të vogël, 17-18 vjeç, kur kam hyrë në portë për herë të parë si profesionist. Janë shumë vite dhe jam i kënaqur, që kanë qenë shumë vite mbi nivelin mesatar dhe me ekipe që pretendonin trofe.

– 23 vite si profesionist, ndjehesh i kompletuar?

– E ndjej veten shumë mirë dhe me atë çka i kam dhënë dhe atë që mua më ka dhënë sporti. Jam i kompletuar. Nuk më mungon asnjë trofe individual dhe ekipor. Kam fituar tituj kampion, Kupa, Superkupa dhe disa tituj si portieri më i mirë. Kam tituj nderi në qytete të ndryshme si Vlorë, Durrës e Korçë. Ndjehem i kompletuar për atë që kam bërë në karrierë.

– Kush ishte makthi i sulmit për Shehin?

– E kam thënë edhe më herët se lojtari, i cili ka qenë shumë inteligjent në sulm, ka qenë Indrit Fortuzi.

– Po idhulli i Shehit, kush është?

– Nuk jam nga ata që fiksoj një person dhe t’i ngjaj atij. Mundohem t’i marr secilit më të mirën.  Kanë qenë disa portierë, që më kanë pëlqyer shumë. Për sa i përket lojës me këmbë, ka qenë Van der Sar, ndërsa portieri më i mirë i shekullit është Bufon, pavarësisht se jemi të ndryshëm dhe e vetmja gjë që na bashkon është mosha.

– Pra janë këta portierët që doje t’u merrje më të mirën?

– Një portier, pavarësisht moshës, ka çfarë mëson gjithmonë. Mund të mësosh në stërvitje shumë, mund të mësosh edhe nga të rinjtë dhe ekipi kombëtar. Gjithë jeta është leksion. Mundohem të marr më të mirën dhe të shoh si reagon gjithkush, edhe të rinjtë. Nuk është turp të mësosh nga ata.

– Ke qenë fare pranë mbylljes së karrierës. Çfarë të bëri të rimendohesh?

– Pas kupës së humbur me Tiranën, në një moment mërzie, mendova se ishte fundi. Kam komunikuar me drejtuesit dhe ata më kanë thënë t’i ndihmoja për Europa Ligën dhe më pas do ta lija futbollin. Dua ta lë unë futbollin dhe jo futbolli mua. Nuk e lija nga forma fizike, as nga mungesa e dëshirës, por se doja të merrja tjetër drejtim. Mundësitë i kisha dhe i falënderoj të gjithë, por si rrodhën ngjarjet, me kualifikime të njëpasnjëshme në Europë dhe këmbëngulja e drejtuesve, më bënë të ndryshoj mendim dhe të shtyj tërheqjen.

– Ku e shikon Shehi të ardhmen?

– Sigurisht, pa futboll nuk jetoj dot dhe do të vijoj të jem pjesë e tij. Jo se nuk më pëlqen portieri, por dua të shkoj përtej portës. Dua të bëj diçka më shumë në trajnim apo në klub si drejtues.

– Kush është pasardhësi juaj te Skënderbeu?

– Skënderbeu i ka dy portierë, Teqjan dhe Dajsinanin. Klubi kërkon garanci, pasi porta është pozicion kyç, por të dy japin garanci. Shpresoj të rriten dhe pak dhe të kenë mundësi për të luajtur. Kanë kualitet.

– Flasim për ndeshjen e fundit. Ishte dhurata më e mirë për ditëlindje ajo fitore me Partizanin?

– Realisht, ishte një ndeshje e mirë. Kemi treguar shumë në fushë, pasi në Kamzë nuk ishim agresivë. Duke parë që lamë dy pikë, reflektuam dhe hymë në fushë me përqendrim maksimal. Nuk i dhamë mundësi Partizanit të organizohej, por e kishim lojën nën kontroll për 90 minuta. Kemi dominuar në të gjitha aspektet dhe mbetet fitore e rëndësishme. Nuk më takon mua të them se është një dedikim për ditëlindje, pasi më 25 ka ditëlindjen dhe Jashanica, ndërsa një ditë më pas edhe Muzaka. Ishte dhuratë për ne të tre.

– Ishte ndeshja perfekte e Skënderbeut?

– Mendoj se po nga të gjithë komponentët. Ekipi ishte agresiv, me ide të qarta dhe funksionoi shumë mirë. Bëmë një qarkullim topi të mirë dhe treguam se jemi pretendentë. Ishte rrjedhë logjike e lojës, pasi kështu dimë të luajmë. Duhet të vazhdojmë të mbajmë këtë ritëm, pasi ekipi ndryshon ndeshja nga ndeshja.

– Shumë shpejt vjen Jang Bojs. Sa ndikon kjo ndeshje në ecurinë tuaj?

– Luajmë në dy kompeticione dhe ngarkesa është e madhe. Është një ndeshje e fortë, edhe pse kundërshtari nga emri nuk të ngjall frikë, por duhet respektuar. Duhet përqendrim maksimal, pasi në të tilla nivele ekipet janë të forta.

– Luani një herë në tri ditë, ju pengon kjo të jepni maksimumin?

– Ndoshta ndeshja pas Europës është më e vështirë, pasi luajmë pas tri ditësh. Kemi ndeshjen brenda dhe udhëtimi eliminohet, por duhet të rikuperohemi shpejt për ndeshjen e radhës.

– Shkoni në Kukës më pas…

– Kur ke përballë një kundërshtar, nuk përqendrohesh te tjetri. Është një ndeshje e vështirë, pasi fusha është problem për qarkullim topi. Shkojmë kudo për fitore, por fillimisht shohim Jang Bojs.

– Në kampionat, kush është rivali dhe kush surpriza?

– Rivalët do të jenë dy ekipet që kemi luftuar deri në fund vitet e fundit, Kukësi dhe Partizani, por të mos harrojmë Teutën. Por edhe Flamurtari i fortë mund t’i bëjë dëm çdo skuadre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *