Seferi: I lumtur që vij në Shqipëri, më pyetën shumë për Skënderbeun  

 

Talenti i Shpresave dhe Jang Bosjti: Vijmë për fitore, Skënderbeu duhet respektuar. Nuk mungon dhe një mesazh për mikun e tij në kampion kundërshtar

Intervistoi: Jurgen Zela

Vetëm pak muaj më parë bëri një zgjedhje të madhe, duke vendosur  të veshë ngjyrat e shtëpisë së tij, të përfaqësojë Shqipërinë edhe pse kishte interes nga Maqedonia. Taulant Seferi, në kthimin e radhës në Shqipëri, do ta shohë veten si një kundërshtar, pasi së bashku me skuadrën e tij, Jang Bojs, do të sfidojë Skënderbeun pas një javë. 20-vjeçari i lindur në Kumanovë, i kontaktuar nga “Sport Ekspres”, ka folur në lidhje me ndeshjen ndaj Skënderbeut, por nuk ka lënë jashtë vëmendjes as të ardhmen e tij. Një të ardhme si korçar? Asnjëherë nuk i dihet, por tashmë Seferi tregon se skuadra e tij ka mësuar mjaftueshëm nga ai për kundërshtarin e radhës dhe Shqipërinë.

– Taulant përshëndetje, si po shkon aventura juaj te Jang Bojs?

– Mund të them mirë. Sezonin e kaluar e fillova shumë mirë, duke luajtur 10 ndeshje me Jang Bojsin, po në sezonin e ri kam pasur disa probleme me dëmtimet dhe ende jam në rikuperim. Shpresoj që të shkojë mirë dhe sa më shpejt të rikthehem në fushat e blerta.

– Viti i tretë në Zvicër. A po e vuani konkurrencën te Jang Bojs dhe kur shpreson të fillosh te luash rregullisht?

– Vërtet është viti im i 3-të në Zvicër, po nuk më ka ecur shumë mirë vetëm për arsye se për një kohë të gjatë isha i lënduar.

Uroj ta kaloj këtë dëmtim sa më parë dhe shpresoj të ketë qenë dëmtimi i fundit. Besoj se me punë do të bëhet gjithçka, me shumë punë dhe vullnet.

– Cilat janë planet tuaja personale për të ardhmen?

– Pas rikuperimit pres të filloj të luaj dhe shpresoj të eci mirë, që të bëj një hap më lart.

– E shihni veten në një kampionat tjetër?

– Për momentin nuk e mendoj diçka të tillë. Vërtet jam pak i mërzitur nga dëmtimi dhe mendoj që të kthehem sa më parë në formën time më të mirë.

– Vetëm pas pak ditësh luani kundër Skënderbeut. Si e sheh këtë takim?

– Të gjithë e dinë se Skënderbeu kohët e fundin po bën paraqitje të mira në Europë. Besoj se nuk do të jetë ndeshje e lehtë për ne, edhe pse nuk e njohim shumë mirë Skënderbeun. Mbi të gjitha, duhet ta respektojmë si kundërshtar, pasi e meriton. Ne jemi maksimalisht të përgatitur dhe shpresojmë në një fitore.

– Kur u njohët me shortin, a ju pyeti klubi apo mediet zvicerane për të mësuar rreth Korçës dhe Shqipërisë?

– Pas shortit kishim një mbledhje në klub dhe trajneri më pyeti, nëse jam i gëzuar që do të shkojmë në Shqipëri, në vendin tim, për të luajtur. I buzëqesha dhe i thashë: “Po, ndihemi lumtur”. Më pas më pyeten si është Skënderbeu, për çfarë ekipi bëhet fjalë, si është stadiumi e kështu me radhë. Dhe unë ua shpjegova. Gjithashtu, u tregova se luajmë ne Elbasan dhe jo në Korçë.

– Skënderbeu po reklamon çdo vit lojtarë të rinj, i fundit Latifi i cili u transferua në Hungari…

– Skënderbeu, sa u përket promovimeve të lojtarëve, po bën shumë mirë. Po i ndihmon shumë të rinjtë dhe kjo është për t’u përshëndetur.

– E mendoni veten pjesë të Skënderbeut?

– Nuk e di çfarë të them, në futboll çdo gjë është e mundur.

– Sa i druhet skuadra juaj Skënderbeut, a llogaritet realisht rival për kualifikimin?

– Ne si skuadër asnjëherë nuk i nënvlerësojmë kundërshtarët, i respektojmë maksimalisht. Në fushë është gjithçka ndryshe, shpresoj se do të marrim 3 pikë në Shqipëri, që ta kemi më të lehtë kualifikimin. Jemi në vetëdije se nuk është lehtë për arsyen se e pamë paraqitjen kundër Dinamos së Zagrebit.

– Keni ndonjë mik te skuadra e Skënderbeut? Nëse po, keni ndonjë mesazh për të?

– Po, kam përforcimin e ri të Skënderbeut, Suad Sahitin, me të cilin kam luajtur te Rabotniçki. I uroj shumë fat dhe shumë suksese me ekipin e ri!

– Jeni grumbulluar me Shqipërinë U-21. Si kanë reaguar në Maqedoni, kur vendoset të ndryshonit kombëtare?

– Nuk është pritur mirë nga ana e federatës dhe medies, por gjithçka kaloi dhe jam i lumtur.

– Pak javë më parë u luajt ndeshja Maqedoni-Shqipëri, si u ndjetë dhe a është e lehtë për lojtarë si Alioski apo Bardhi të përballen me Shqipërinë?

– E ndoqa më shumë vëmendje ndeshjen. Normalisht, nuk është e lehtë të përballesh me kombin tënd, por ata janë profesionistë dhe kur dalin në fushë, duhet të japin maksimumin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *