Bardhi: Kisha zgjedhur Shqipërinë, FSHF nuk më deshi!

Dikur mund të ishte i Shqipërisë, por tani është pjesë e Maqedonisë dhe ndoshta është pengu më i madh i gjithë tifozëve shqiptarë në këtë moment. Sigurisht, 22-vjeçari i talentuar nga Shkupi, Enis Bardhi, sot është i lumtur që luan me Levanten në La Liga dhe është fantazisti me numrin “10” që ka realizuar dy gola. Në Strumica, ndaj Shqipërisë, ishte ndër më të mirët për Maqedoninë… Por, si është e vërteta e tij? Pse nuk u vesh kuqezi? Bardhi e ka rrëfyer në intervistën e dhënë për “Zona Gol”:

Gjithmonë kam tentuar të jem pjesë e Shqipërisë, prej moshës 16-17 vjeç kur kam qenë gati, por asnjë ofertë s’ka ardhur. Kam biseduar njëherë me një person që ishte nga Kosova, nga Gjilani, dhe ai më ka shkruar në Facebook në rrjetet sociale, por kurrë s’ka pasur diçka serioze.

Ky njeri më tha që Redi Jupi nuk më njeh dhe nuk e di se kush jam. Isha pjesë e Ujpeshtit dhe isha në hapat e mi të parë dhe shihej që shënoja gola dhe bëja paraqitje të mira, por nuk ka pasur diçka serioze. Ai djali më tha që duhet të vish këtu dhe të të shohë Redi Jupi në prova, ndoshta një javë. Në ato ditë prisja të debutoja me Maqedoninë dhe kërkoja seriozitet dhe jo kështu, në provë. Menaxheri im i ka shkruar Jupit në e-mail dhe Facebook, por asnjë përgjigje.

“Ndoshta ai bllokoi edhe numrin e telefonit të menaxherit. Gjithë familje ime donte të isha pjesë e Shqipërisë, por kurrë asgjë konkrete nuk ka pasur. Vetëm fjalë dhe asnjë veprim. Nuk besoj që ka një shqiptar që posaçërisht është nga Shkupi i lindur në Shkup me familje shqiptare, që s’do të kishte dëshirë të luante për Shqipërinë. Ishte joprofesioniste nga Federata Shqiptare, që nuk tregoi dhe nuk sheh talentet. Nuk ndihem viktimë që s’jam pjesë, por duhet të shihen më shumë talente shqiptare në Maqedoni që kanë dëshirë të vishen kuqezi”.

Kur vendosi Bardhi të mos e presë më Shqipërinë? “Isha vetëm 19 vjeç dhe gjithmonë Maqedonia dëshironte të isha pjesë e tyre, por asnjëherë s’kam pasur ftesë nga Shqipëria. Pranova ftesën e Maqedonisë që erdhi te Ujpeshti. Shqipëria as në miqësore nuk më mori. Kur isha 15 apo 16 vjeç, e kam thënë hapur që dua të jem pjesë e Shqipërisë, por asnjë hap nuk u bë. Tani mund të them që nga njëra anë, duke qenë se besoj në Zot, ndoshta kështu ishte e shkruar dhe mburrem me faktin që te kombëtarja e Maqedonisë kanë kontribut pesë apo gjashtë shqiptarë. I kemi të gjitha kushtet që ta përfaqësojmë Maqedoninë me pesë shqiptarë dhe e gjithë bota e sheh dhe e di këtë gjë”.

Përballja – Mbi përballjen mes Shqipërisë dhe Maqedonisë në Sturmica: “Ndjeja emocion kur zbrita në fushë dhe nisi himni, pasi është ai i gjakut tënd dhe është normale të kesh emocione. U preka pak për vërshëllimat, por nuk kam koment. Në fushë jemi futbollistë dhe ishte hera e parë e imja kundër Shqipërisë. Ishte ndjenjë mjaft e mirë, sepse u takova me shumë shqiptarë, si Mavraj, Ajeti e kështu me radhë dhe e ndjeja veten mirë”.

Strumica – Pyetjes se pse nuk u luajt në Shkup dhe jo Strumica, Bardhi pranon se “do të kishte më shumë shqiptarë se maqedonas në Shkup. E gjithë kjo është arsyeja. Nuk do të kuptohej kush ishte maqedonas. Edhe për shkaqe sigurie dhe trazira që mund të ndodhin”.

Spanja – Mbi ndeshjet në Spanjë me Levanten dhe dy golat: “Është një ndjenjë mjaft e mirë. Ishte ëndrra ime gjithmonë dhe nuk e prisja se do të ndodhte kaq shpejt. Isha vetëm 15 vjeç kur isha te Espanjol, por dëshiroja të kthehesha. Jam shumë i lumtur. Trajneri dhe lojtarët më japin përkrahje. Mundohem që të jap më të mirën time. Mjaft i lumtur dhe më kanë pritur mirë. Është ndër ligat më të mira në botë dhe do të tentoj të jap maksimumin në çdo ndeshje dhe Levante tani është ngjitur. Do të jetë pak më e vështirë, pasi nuk jemi gjithmonë favorit që të marrim rezultat pozitiv”. Ronaldo apo Mesi? “Për mua, Mesi është më i miri në botë, Zoti ia ka dhënë talentin, por jam fans i Ronaldos, pasi punon shumë dhe nuk ndalet. Është i uritur për sukses dhe e arrin atë çfarë kërkon. Ronaldo ka arritur me punë deri këtu”.

Ëndrra – Cila është skuadra e ëndrrave? “Ëndrra ishte në “Santiago Bernabeu”, të luaja pra, por e pashë stadiumin që asnjëherë nuk kisha qenë… Nuk luajta, sepse kështu vendosi trajneri. Pra, ëndrra është të luaj për Real Madridin, pasi është klub i madh. Shpresoj që një ditë të jem pjesë”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *