Trajneri i Lushnjës, Artan Bano, duke folur në emisionin “Gol pas goli” në Supersport, nuk e ka fshehur dëshpërimin për humbjen ndaj Flamurtarit.
“Mendoj se është e njëjta situatë, problemi është psikologjik dhe skuadra nuk i ruan dot ekuilibrat. Të jem i sinqertë, me 11 kundër 11 ishim të barabartë ose edhe superiorë. Pas kartonit të kuq shënuam, por pësuam dy gola foshnjarakë, që nuk na falen. E dorëzuam vetë ndeshjen, nuk është se na mundi kundërshtari. Është e drejtë që vendosin episodet, por është mëkat që falim kështu gola, ndërsa humbasim edhe raste të shkëlqyera, si ai i Pepës, i vetëm me portierin në zonë. Kjo është Superiore dhe nuk kemi mundësi të bësh kaq shumë. Na mbetet shumë punë për të bërë, në aspektin psikologjik dhe në atë të ekuilibrit të reparteve.
“Bëmë shumë gabime pasi kaluam në avantazh, pasime të gabuara, vendosje jo të sakta. Megjithatë, kemi kohë mjaftueshëm, ajo që po na ndodh ne do t’i ndodhë çdo skuadre. Sot kishim shumë episode kundër, kemi pësuar gola të pafalshëm.
“Merkatoja? Mendoj se na duheshin disa emra cilësorë, por dy lojtarë cilësorë kushtojnë mijëra euro në muaj, ndaj nuk është e lehtë të gjesh futbollistë me financat që kemi ne. Në fakt, kemi bëra përforcime të mira, Shkulaku është lojtar cilësor, por ashtu edhe lojtarët e tjerë që kemi afruar. Gjithsesi, nuk është justifikim që kemi skuadër pa lojtarë të paguar me shifra të mëdha, sepse jo gjithnjë fiton skuadra me pagat më të larta. Përndryshe, Partizani Laçi do të përfundonte 7-2 javën e shkuar”.