Në rolin e analistit, ish-trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, ka dhënë opinionin pas performancës së parë të ish-skuadrës së tij. Tekniku kryeqytetas, i ftuar në “Supersport” komentoi faktin se Kukësi nuk po prodhon lojë, duke marrë në konsideratë dy takimet e fundit. Kryeqytetasi tregon se Kukësi e ka stofin e kampionit, por ajo që e pengon është mungesa e kohës, pasi në verilindje, siç dihet, rezultatet duhet të vijnë sa hap e mbyll sytë. “Kukësit “të ri” , që sapo ka nisur kampionatin, duhet t’i jepet kohë. Mos harroni që janë larguar pesë lojtarë kryesorë. Të gjithë në repartin e avancuar. Duhet të kujtojmë se vetëm dy lojtarët e sulmit, sezonin e shkuar shënuan plot 36 gola së bashku dhe nuk do të jetë e lehtë për t’i zëvendësuar. Besoj se Kukësi, me këto lojtarë që ka, Bakajn, Shtubinën, Zeqirin dhe sulmuesin Alijev kanë cilësi, por asgjë nuk bëhet përnjëherë dhe duhet durim. Për mua, durimi është virtyt. Puna jonë është të përmbushim detyrat dhe detyra ime sezonin e shkuar ishte të merrja kampionatin, diçka që e bëra. Më tej nuk funksionoi dhe nuk ka asnjë problem. Nuk duhet t’i bëhet presion as trajnerit dhe as skuadrës. I gjithë opinioni sportiv, duhet të kuptojë që Kukësi e ka stofin e kampionit. Që të jetë kampion, duhet të jetë i qetë, me pikëpamje të qarta dhe me filozofi të qarta. Unë kam shumë besim se Kukësi do të rritet shumë”, përfundoi Gjoka.