Partizani prezanton “përforcimin”, Bebeto këshilltar i Demit

Bebeto u takua me presidentin e Partizanit Gaz Demi para pak ditësh në Brazil, ndërsa bashkëpunimi mes tyre tashmë është zyrtar. Ish-ylli i Brazilit kampion bote në vitin 1994 ka zbarkuar në Shqipëri dhe sot është prezantuar zyrtarisht si këshilltari i Gaz Demit, pak a shumë si Luçiano Moxhi e Sulejman Starova.

Gjatë prezantimit, presidenti Demi u shpreh: “Kemi një bashkëpunim pune që mendoj se do të jetë shumë serioz, qoftë për ekipin e parë apo edhe për akademinë. Është një eksperiencë e re, pasi në të kaluarën nuk kemi pasur lidhje me Amerikën Latine. Shpresoj që nëpërmjet miqësisë tonë të bëhet një bashkëpunim serioz në të ardhmen. Bebeto na ka sjellë një lojtar (Uarlej) që për pak kohë do e shikoni në fushë. Për disa arsye teknike nuk do jetë ndoshta në ditët e para. Mendoj që është një talent. Do jetë diçka serioze, jo si menaxherët e tjerë që flasin shumë dhe bëjnë pak.”

Ndërkaq, Bebeto ndër të tjera tha: “Do të jem një këshilltar i presidentit Demi, i cili mendon shumë për të ardhmen e Partizanit. Ashtu sikurse kam folur kur isha futbollist me Deportivon, që ne na mungonte akademia dhe ia sugjeroja vazhdimisht presidentit të Deportivos. Presidenti Demi do bëjë një gjë madhore dhe them se do jetë shumë gjë pozitive për të ardhmen e Partizanin.

“Nuk ka vlerë të bësh një skuadër për momentin, në qoftë se nuk ke një bazë për të ardhmen. Edhe te Flamengo në të cilën bëra histori shumë të pasur në karrierën time, i sugjerova presidentit të njëjtën gjë, duke qenë se ky klub ka 38 milionë tifozë në Brazil. Tani Akademia e Flamengos është bërë shumë e madhe falë akademisë që është ndërtuar.

“Si futbollist kam qenë me mentalitet fituesi, edhe kur i hyj biznesit hyj gjithmonë për të fituar, nuk dua të zhgënjej asnjëherë. Eksperiencën time duke fituar tre Kupa Bote, shpresoj t’ia transmetoj edhe presidentin Demi.”

“Jam në vëzhgim e sipër për të sjellë atë që i nevojitet më shumë Partizanit. Në këto moment kam sjell një lojtar brazilian Uarlej, e kam bërë një hap. Është lojtarë me cilësi të mira. Për momentin nuk është në formën fizike më të mirë. Me kalimin e kohës do ta shikoni çfarë lojtari është. Dje ka folur edhe me trajneri Iuliano edhe me mua. Kemi pasur një bisedë ndërmjet nesh dhe kemi folur për të përmirësuar gjendjen fizike. I sugjerova trajnerit që të më thotë rolet që i nevojiten që unë t’i sjell lojtarë që të bëjnë diferencën në kampionatin tonë. U befasova shumë nga presidenti kur ia kërkova këtë gjë, sepse ai më tha ‘nuk ke punë me mua, por ke punë direkt me trajnerin Iuliano dhe stafin teknik’. Mu duk shumë e çuditshme se zakonisht presidentët jashtë ndërhyjnë shumë në aspektin teknik. Presidenti i ka dhënë dorë të lirë dhe besim stafit. Në Brazil shumica e presidentëve bëjnë teknikun.

“Nuk kam pasur njohuri për futbollin shqiptar. Jam i befasuar nga futbolli në Shqipëri. Ndoqa dhe Kombëtaren shqiptare dhe u habita nga mënyra se si u interpretua loja në fushë. Nuk e njihja as Partizanin, por pas takimit me presidentin, tani di gjithçka. Njoh Iulianon, i cili ka luajtur në nivele shumë të larta.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *