Eder Paulista nuk është stërvitur dje me ekipin e parë. Zyrtarisht futbollisti ka pasur një shqetësim dhe është parë duke çaluar, por nga ana tjetër mësohet se si stafi dhe presidenca është shumë e pakënaqur nga paraqitja e lojtarit që ka ardhur me shumë premtime në skuadër. Lojtarit i është komunikuar dje largimi nga ekipi. Paulista kështu do të largohet nga bardheblutë. Klubi ka zyrtarizuar largimin e brazilianit që gjithsesi nuk kishte firmosur me bardheblutë.
Ngo për sulmin del në stërvitje
Një sulmues ka dalë dje në stërvitje dhe ka firmosur me ekipin e Tiranës. Bëhet fjalë për Majkëll Ngo. Lojtari vjen nga kampionatet britanike ku ka luajtur së fundmi me Oldham Atletik dhe është 24 vjeç dhe 198 cm i gjatë. Luan si sulmues dhe më parë është aktivizuar me ekipe si Liverpul(vetëm moshat), Hart of Midlothian, Yeovil Taun, Ualsall, Kilmarnok, Bromli ku në 59 ndeshje që është aktivizuar ka shënuar vetëm 6 gola. Futbollisti ka luajtur edhe 12 ndeshje me Anglinë U-19 dhe U-20, duke shënuar edhe tre gola në 2010-2011-in e largët. Në vitin 2013 me ekipin Hart of Midlothian ai pësoi një dëmtim të rëndë dhe humbi gjithë sezonin. Në stërvitje u duk një futbollist më se normal, paçka shtatlartësisë së tij. Në mbrëmje ai është takuar me presidentin Refik Halili. Sulmuesi nga Britania e Madhe ka firmosur dje në mbrëmje kontratën që e bën zyrtarisht bardheblu. Tirana pritet të afrojë edhe një tjetër futbollist me ngjyrë. Ende nuk ka ndonjë emër të saktë, por bëhet fjalë për një mesfushor tjetër. Trajneri Ze Maria në fakt ka bërë me dije se merkatoja e bardhebluve është mbyllur dhe vetëm ndonjë prurje e fundit mund të gëzojë ekipin.
Greca në ajër, Çelhaka i Tiranës
Alked Çelhaka është pjesë e skuadrës së Tiranës. Futbollisti mësohet se ka arritur marrëveshjen do të jetë pjesë e bardhebluve për sezonin e ardhshëm, ndonëse klubi nuk ka zyrtarizuar asnjë vendim. Ndërkaq, mëdyshje ka për Bedri Grecën. Lojtari ka 10 ditë i dëmtuar dhe nuk po stërvitet. Kjo ka bezdisur edhe trajnerin Ze Maria, ndërkohë që për Çelhakën braziliani është shumë i kënaqur dhe ai pritet të jetë titullar në ekipin bardheblu.
Hoxhallari i bllokuar nga presidenca
Edhe Erjon Hoxhallari do të mbetet bardheblu. Mësohet se për lojtarin kanë ardhur disa oferta, por në fund klubi ka vendosur që të mos shesë mbrojtësin e krahut të majtë. Disa ekipe kanë qenë gati për të paguar për mbrojtësin, por është vendosur përfundimisht që Hoxhallari të jetë pjesë e bardhebluve.