Futbollisti kavajas u bashkohet myzeqarëve, duke u bërë përforcimi i radhës për ta. Trajnerit Bano i vlen shumë, pasi luan në mbrojtje dhe në mesfushë
Arjan Likja
Një tjetër afrim për Lushnjën, edhe pse nuk është ende zyrtar. Ervis Kaja, siç “Sport Ekspres” ka bërë të ditur prej disa ditësh, do të luajë me Lushnjën në elitën e futbollit shqiptar sezonin e ardhshëm. 30-vjeçari kavajas ka një përvojë të gjatë në futbollin shqiptar, pasi ka luajtur me skuadra me emër si Besa, Laçi, Tirana, Dinamo, Apolonia dhe së fundi me Korabin në Superiore. Kaja është një afrim i rëndësishëm për stafin teknik të Lushnjës, sepse mund të aktivizohet si qendërmbrojtës, por edhe si mesfushor mbrojtës. Kavajasi ka dalë dje në stërvitje me skuadrën verdhejeshile, ndërsa kontratën e re pritet ta firmosë sot. Ai mund të konsiderohet një lojtar i Lushnjës dhe është afrimi i dytë që vjen nga Korabi, pas mbrojtësit Prençi.
STËRVITJA – Pas pushimit të së dielës, lushnjarët kanë kryer dje pasdite një seancë në kompleksin e ri sportiv në qendër të qytetit. Ka qenë një seancë me ngarkesë të plotë, ndërkohë që kërkohet domosdoshmërisht një fushë futbolli me përmasat e duhura, që ekipi të bëjë ushtrimet me topin.
MIQËSORET – Duke qenë para fakti se nuk ka një fushe stërvitore me kushte normale, stafi teknik i Lushnjës vazhdon përpjekjet për gjetjen e sa më shumë kundërshtarëve për miqësore në trasfertë. Së fundi është kontaktuar me drejtuesit e Turbinës për të zhvilluar të mërkurën miqësoren e radhës. Stafi cërrikas ka pranuar, por pengesë është stadiumi, sepse zyrtarët e Turbinës nuk lejojnë asnjë seancë stërvitore apo ndeshje miqësore brenda stadiumit të tyre. Ky vendim është marrë për të mirëmbajtur fushën para kampionatit. Nuk dihet, nëse deri ditën e mërkurë cërrikasit do të ndërrojnë mendje, në mënyrë që të bëhet i mundur zhvillimi i këtij takimi miqësor. Kurse ditën e shtunë Lushnja do të udhëtojë drejt Kavajës, ku do të zhvillojë një tjetër miqësore me Besën.