Shumë emra kanë qarkulluar prej ditësh në ambjentet sportive të klubit “Skënderbeu”, lojtarë të cilët edhe vetë e kanë ëndër të jenë pjesë e bardhekuqve. Gjithsesi dy emra që janë lakuar shumë këto orë të fundit, janë edhe ato të Dejvi Bregut dhe Kristal Abazaj, lojtarë që janë pjesë e Luftëtarit të Gjirokastrës. Ndërkohë Bregu ka qenë dëshira e Skënderbeut që në merkaton e dimrit që kaloi, por që asgjë nuk u realizua edhe për atë se gjirokastritët nuk e lëshonin “xhevahirin” e tyre. Skënderbeu mendoi që mund të paguante për të dy lojtarët, por ditën e djeshme mësohet se asnjëri prej lojtarëve që lakohet nuk mund të vijë në Korçë.
Me ardhjen edhe të Sahitit, apo kthimin e mundshëm të Afrim Takut, Skënderbeu blindohet në krahët e mesit të fushës, pasi bëhen plot 8 emra dhe Daja nuk ka vend për të pasur edhe të tjerë lojtarë krahu. Përveç “pistës” së Ibraimit në këtë mënyrë ka rënë edhe pista e dyshes, Bregu-Abazaj dhe pavarësisht se lojtarët në fjalë e prisnin një kalim të mundshëm te Skënderbeu, duhet të presin ndoshta vitin tjetër, pasi Skënderbeu është i plotësuar në rolet që ata luajnë.
Mesfushorët e krahut që ka Skënderbeu
Enis Gavazaj
Suad Sahiti
Gjergji Muzaka
Reza Karimi
Nazmi Gripshi
Beneyam Demte
Leonit Abazi
Afrim Taku (?)