Takaj përgënjeshtron sulmuesin turk, konfirmon Sahitin

Presidenti i juglindorëve hedh poshtë lajmin se Batuhan Karadeniz do të vijë në Korçë dhe konfirmon Sahitin: Sulmues turk? As që bëhet fjalë. Suad Sahiti vjen këto ditë

Leonard Trebicka

Pasditen e djeshme u përhap me shpejtësi lajmi se një sulmues nga Turqia, i cili kishte dalë nga akademia e Beshiktashit dhe kishte qenë edhe pjesë e kombëtares turke, do të vinte te Skënderbeu. Batuhan Karadeniz thuhej madje se kishte paguar vetë për të prishur kontratën me ekipin e tij të fundit në kategorinë e tretë në Turqi për të ardhur te korçarët. Edhe në portalin “transfermarkt” ai rezultonte si lojtar i Skënderbeut dhe u mendua për një lëvizje të fshehtë të korçarëve, por këta të fundit kanë hedhur poshtë gjithçka.

PËRGËNJESHTRIMI – Presidenti i klubit korçar, Ardjan Takaj, i pyetur për këtë çështje, e ka mohuar kategorikisht si lëvizje të mundshme. “Nuk e di për çfarë lojtari po thoni. Eshtë hera e parë që po e dëgjoj këtë emër. Nuk kemi kërkuar asnjë lojtar nga Turqia, sepse në këtë moment jemi të gjithë të përqendruar te ndeshja e së enjtes me Dinamon e Zagrebit. Ndoshta është ndonjë lojë menaxherësh dhe përdoret emri i Skënderbeut në këtë rast për të rritur vlerën në treg”, – ka thënë dje pasdite numri 1 i klubit juglindor, Ardjan Takaj, i cili që prej së dielës qëndron pranë ekipit në Korçë. Kualifikimi për në fazën e grupeve të Europa League është pranë dhe ai kërkon ta mbajë ekipin së më të përqendruar për të përmbushur misionin e vështirë.

SAHITI – Presidenti i Skënderbeut konfirmon ndërkohë afrimin e mesfushorit Suad Hahiti, i cili vjen nga Rabotniçki për të qenë zëvendësuesi i Liridon Latifit. “Po, Suad Sahiti është një lojtar i Skënderbeut, pasi me të është arritur marrëveshja. Pa dyshim që është një blerje e madhe, sepse bëhet fjalë për një lojtar me vlera. Këto ditë do të bashkohet me ekipin, ne po e presim”, – ka pohuar presidenti Takaj. Gjatë merkatos së verës korçarët kanë lëvizur shumë, sidomos për të gjetur zëvendësuesit e Hamdi Salihit dhe Liridon Latifit. Për të zëvendësuar shkodranin erdhi në huazim Ali Soue, i cili bëri debutimin e tij në Zagreb, ndërsa vendin e kosovarit që do të shkojë në Hungari do të zërë po një kosovar i talentuar, që vjen nga kampionati maqedonas dhe konkretisht nga Rabotniçki.

POLITIKA – Vit pas viti Skënderbeu shet lojtarë shumë të rëndësishëm, por arrin t’i zëvendësojë ata me shpejtësi, pasi tashmë ka një politikë të qartë jo vetëm për të arritur rezultate në kampionat, por edhe për të bërë biznes me shitjet e lojtarëve në kampionate të huaja. Deri tani gjithçka po rezulton e suksesshme për korçarët, që janë para të tjerëve në këtë drejtim dhe sigurisht që janë shembulli për t’u ndjekur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *