Kostandinidhes na heq vizë: Shqipëri, nuk ke basketboll!

Trajneri i larguar nga kombëtarja e basketbolli flet për problematikat e mëdha të këtij sporti dhe marrëdhëniet me drejtuesit

Dy ditë më parë Shqipëria u turpërua në Tiranë nga Holanda dhe ishte një tërmet me pasoja. Trajneri i përfaqësueses shqiptare të basketbollit, Antonis Kostandinidhes, ka dhënë dorëheqjen menjëherë pas paraeliminatoreve të Botërorit 2019. Oferta për drejtimin e skuadrës kuqezi për të ishte një krenari dhe një ëndërr, por që ju ndërpre, sipas tij, nga vetë ata që ja ofruan. Në një intervistë për Top Channel përpara largimit nga Shqipëria, Kostandinidhis tregon hapur çfarë ndodhi me basketbollin shqiptar të rikthyer në pikën 0 dhe në krizë të frikshme.

– Kjo është hera e fundit që ju shohim me fanellën e Shqipërisë?
– Për fat të keq po.

– Çfarë mund të thoni për ndeshjen e fundit dhe për këto eliminatore në përgjithësi?
– Ndeshja me Holandën ishte kulmi, shfaqi problemet e shumta që kishim si skuadër, tregoi nivelin e basketbollit shqiptar në përgjithësi. Në pamje të parë duket si surprizë, por për ata që merren me basketbollin në përgjithësi, kur shohin si janë të organizuar të tjerët dhe si jemi ne, si punojnë të tjerët dhe si punojmë ne, nuk është ndonjë surprizë. Nuk e them për justifikim. U thashë edhe djemve dje se bëmë një figurë të shëmtuar. Duhet të na vijë turp të dalim në rrugë. Duhet t’u kërkojmë falje fansave të pranishëm në pallatin e sportit. Mund të humbasësh çdo ndeshje, por nuk mund ta humbasësh në atë formë. Jam shumë i zhgënjyer, pasi nuk arritëm t’i bëjmë këta lojtarë të luajnë me zemër. Disa nga ndeshjet i kanë luajtur pa gjak. Kjo është më e keqja për mua, më e keqe se ndeshja dhe rezultati i saj. Do të ishte gabim shumë i madh, nëse do të fokusohemi te kjo ndeshje. Problemi është pse arritëm si kombëtare në këtë pozicion.

– Po çfarë nuk funksionoi atëherë. Ky është viti juaj i dytë që punoni me skuadrën, jenë në brendësi të saj?
– Janë shumë arsye. Së pari, kur erdhën të më kërkonin si trajner të kombëtares, u ndjeva shumë mirë. Ishte krenari për mua të drejtoja kombëtaren e Shqipërisë. E pranova propozimin me shumë dëshirë dhe pasion, sepse ky është karakteri im. Ishte një sfidë shumë e madhe të ndryshoja fatin e kësaj skuadre. Nuk e dija se me sa shumë probleme do të përballesha. Problem i madh ishte organizimi. Fakti që përfaqësuesja e basketbollit nuk kishte funksionuar për disa vite, bënte që të ishte humbur kontakti me basketbollin modern. Këto dy vite kemi luajtur me rreth 8 skuadra përfaqësuese dhe ishim e vetmja skuadër, që nuk kishim një shef ekipi. Ndoshta për njerëzit kjo nuk duket diçka e rëndësishme, por është shumë e rëndësishme. Më është dashur të bëj edhe doktorin edhe shoferin e taksisë, pra çdo gjë. Para se të pranoja, i sqarova federatës pozitën time. Nuk është detyra ime të gjej ndeshje miqësore, është detyrë e shefit të ekipit apo federatës. Këto dy vite çdo ndeshje miqësore u bë nga lidhjet e mija. Mund të them një tjetër problem organizmi, që lidhej me fluturimet. Kur ti udhëton, duhet t’i japësh trajnerit opsionet dhe vendos ai, pasi është ai që bën programin. Kjo nuk ndodhi kurrë dhe as e imagjinoni dot se nga sa orë na është dashur të qëndrojmë nëpër aeroporte. Vitin e parë, çfarëdo që kërkoja federata dhe z.Ponari ma plotësonin ose përpiqeshin, por këtë vit u ndjeva ndryshe dhe nuk e di përse. Federata filloi të më largohej. Gjithmonë jam përpjekur ta bëj punën time sa më mirë. Të gjitha këto probleme organizimi bën që shumë lojtarë të mirë të mos vijnë. Ky është një tjetër problem shumë i rëndësishëm. Shumë lojtarë që luajnë jashtë nuk donin të vinin.

Përse?
– Kjo skuadër, për 6 apo 7 vite nuk funksiononte. Marrëdhëniet ndërpriten dhe kur gjithçka rifillon lojtarit i kujtohen problemet e së shkuarës. Vitin e shkuar fola me Kuqon, Ndojën dhe Bushatin, për arsye të ndryshme nuk donin të vinin dhe i respektoj vendimet e tyre. Shqipëria ka shumë lojtarë që luajnë në Greqi, Itali apo Amerikë. Lojtarë më të mirë nga sa përmenda dhe më të mirë se lojtarët e kampionatit vendas. Duke u përballur me këtë problem, krijova një skuadër, ku një pjesë e mirë ishte e përbërë me lojtarë të kampionatit vendas, që ka një diferencë shumë të madhe me skuadrat që ne luajmë. Nuk mund të presësh nga një sportist, që paradite shkon në punë dhe stërvitet 3-4 herë në javë pasdite.

– Kishim edhe ne në përfaqësuese basketbollistë amatorë?
– Në këtë sezon kishim vetëm 3 lojtarë profesionistë, Shima, Hysenagolli dhe Bushati. Disa paradite shkonin në universitet, disa në punë. Në këtë gjendje ke dy zgjidhje: të gjesh një zgjidhje që të motivosh lojtarët e mirë që luajnë jashtë të grumbullohen me kombëtaren ose të grumbullohen lojtarë të rinj nën 20 vjeç.

– Pse nuk veprohet si në futboll, ku thirren lojtarë që kanë lindur dhe janë rritur jashtë Shqipërisë?
– Me stafin tim krijuam një plan për sportistët që luajnë jashtë. Duhej të udhëtonim dy-tre herë në Itali, Greqi apo USA për të grumbulluar lojtarë, por asnjëherë nuk u realizua, sepse mungonin financat. Kosto, kosto, kosto na thoshin. Para disa kohësh i thash z.Korab dhe z.Avni të më lejonin të takoja Ndojën nga afër dhe të flisja me të. Jo, jo më thanë, do ta bëjmë ne. Po ç’do bënin ata, si mund ta bëjnë ata? Këtë gjë e bën trajneri. Ndoja ka nevojë të dëgjojë trajnerin, jo presidentin apo sekretarin e federatës. Ky është problemi im i vetëm me z.Ponari. E vlerësoj shumë atë, sepse investoi tek unë dhe ndihem shumë keq, që nuk munda t’i kthej gjë atij pas. Kur firmosa kisha shumë ëndrra dhe më dukej një sfidë e madhe. Për këtë më vjen shumë keq. Ai më dëgjoi mua vetëm 50%. Kur zgjedh një trajner dhe investon para tek ai, duhet t’i besosh 100%.

– Ku qëndronte problemi që z.Ponari nuk besonte tek ju?
– Z.Ponari kishte këshilltar të keq. Ai vetë është një biznesmen, nuk është njeri i basketbollit. Në këtë sport duhen njerëz të tillë, por ka shumë rëndësi kush i këshillon. Ndonjëherë ai dëgjonte më shumë të tjerët se mua. Unë isha trajneri dhe përderisa më kishte zgjedhur, duhet të më dëgjonte. I kisha thënë disa herë të krijoja një program për kampionatin, të jepja disa ide. Edhe klubet duhet të ndërgjegjësohen t’u krijojnë disa kushte të mira sportistëve. Pjesa më e madhe e palestrave këtu janë të papranueshme. Këdo të merrni këtu, për një muaj kohë nuk mund të bëjë asgjë. Talenti më i madh në Greqi, që luan në kategorinë e parë, është vetëm 19 vjeç, është shqiptar. E takova e ftova dhe nuk donte të vinte, ku të vijë këtu ai?! Kam ftuar 3 sportistë shumë të mirë nga Greqia, por duke qenë se rrezikojnë të humbasin pasaportën greke, nuk kanë pranuar. I thashë z.Ponari të shkojmë në Greqi që të kërkojmë ta ndryshojnë atë rregull. Sipas këtij rregulli, nëse ata luajnë këtu përpara se të marrin pasaportën greke, e humbin shansin të aktivizohen në kampionatin grek.

– Do të ishte më mirë të shkonit t’i takonit vetë nga afër?
– Kam kaluar shumë orë në fushë dhe jashtë fushe, duke u përpjekur t’i zgjidh këto probleme, andaj më vjen keq, që nuk mund t’i kthej këtij investimi diçka prapa.

– Këtë vit në skuadër patët edhe Bushatin, gjërat nuk ndryshuan?- Këtë sezon disa lojtarë kanë qenë pa fat. Na kanë refuzuar 6 lojtarë në prag të këtyre eliminatoreve. Nuk munda kurrë të punoj me skuadrën e plotë. Mund të them se ju nuk e doni skuadrën tuaj përfaqësuese. Nuk i di arsyet dhe kjo nuk është detyra ime. Federata duhet ta gjejë zgjidhje pse lojtarët refuzojnë. Kombëtarja është diçka e veçantë, nuk është njësoj si klubi. Në historinë e basketbollit ka emra të mëdhenj, që deri në moshën 37-37 apo edhe 40, si Po Gasol apo Novicki, sakrifikonin për të luajtur me kombëtaren. Por kjo nuk është vetëm për lojtarët. Në këto dy vite si trajner i Shqipërisë, kemi luajtur në Tiranë rreth 5 ndeshje, në to asnjë trajner apo lojtarë tjetër nuk ka ardhur të na shohë. Basketbollin nuk e ndryshojnë biznesmenët, por e ndryshojnë trajnerët dhe lojtarët, por këta nuk duan ta ndryshojnë këtë gjendje.

Çfarë i the skuadrës pas asaj ndeshjeje kundër Holandës?
– E çfarë mund t’i thosha pas asaj paraqitjeje. Në një situatë të tillë, e vetmja gjë që të vjen të bësh, është të shkosh në shtëpi. Në fund të asaj dite i shkruam emrat tanë të asaj historie të keqe. Ashtu si shkruam emrat tanë në fitoren e parë pas shumë vitesh kundër Sllovakisë.

– U fol shpesh se atmosfera e skuadrës në këto eliminatore nuk ishte e mirë.
– Po është e vërtetë, nuk ishte e mirë. Vitin e shkuar kishim një skuadër të bashkuar, nuk mund të them të njëjtën gjë këtë vit. Ishin të shumta arsyet përse, por dua të ma respektoni të drejtën të mos e them përse. Bëra disa gabime, e kam fjalën për lojtarët që grumbullova. Për fat të keq kjo pati pasojë në atmosferën e skuadrës. Në këtë ekip ne nuk kishim një lider. Vitin e shkuar kishim një lider, amerikanin Rashoun Broudus. Duke qenë se përmenda emrin e tij, të gjithë duhet të pyesin se përse nuk erdhi më ai. Është e thjeshtë të themi se na e punoi, mori pasaportën dhe iku. Por në të vërtetë besoj se ka parë gjëra dhe mënyrën e trajtimit, që mund ta kenë detyruar mos të vijë më.

– U eliminua Shqipëria, por Kosova u kualifikua?
– Po, dhe e dini përse? Asgjë nuk është njësoj me këtu. Nuk ka asgjë të përbashkët me ju në organizim, gjithashtu në Kosovë të gjithë sportistët janë profesionistë. E keni parë çfarë ndodhi me përfaqësuesen e tyre, kur luajti në Mitrovicë? Ata e duan basketbollin dhe janë gati të vdesin për basketboll, krejtësisht e kundërta me atë që ndodh këtu. Për ndeshjet e tyre pallati i sportit mbushet plot, për ndeshjet tona është thuajse bosh. Por kjo ndodh, sepse tifozët duan të shohin ndeshje të bukura.

– Pse nuk do ta respektoni kontratën, që përfundon në janar?
– Askush nga federata nuk ka ardhur të më shohë, flasë apo takojë këto ditët e fundit. Dua të jem i sinqertë përpara shqiptarëve. Kam një problem të madh shëndetësor me bashkëshorten këtë vit. I kërkova federatës të mos vija për ndeshjen e fundit, pasi situata familjare është kritike. Deri më sot nuk më kanë kthyer ende një përgjigje dhe zgjodha të vij e të respektoj kontratën. Ka qenë një periudhë shumë e vështirë. Thashë pas ndeshjes do të largohem, askush nuk u interesua. Kështu që është shumë e qartë, ata nuk duan më të vazhdojmë bashkë. Unë nuk rri kurrë në një vend, që nuk më duan.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *