Zyrtarizohet Zguro, priten tri afrime

Pogradecari pritet të bashkohet me ekipin në Greqi. Vjen Kostas Koltidas, përgatitësi atletik. Në merkato do ketë zhvillime

Gëzim Beqiri

Luftëtari vazhdon përgatitjet në Greqi. Sipas informacionit të marrë prej andej, mësohet se ekipi është duke zhvilluar dy seanca stërvitore në ditë. Herët në mëngjes kryejnë veprime dhe ushtrime gjimnastikore nën drejtimin e përgatitësit atletik Kostas Koltsidas, i cili i është bashkuar stafit teknik ditën e djeshme. Aktualisht janë planifikuar edhe dy ndeshje miqësore me ekipet greke që stërviten në këtë rajon, Arisin e Pas Janinën, si dhe me Flamurtarin e Vlorës.

Dje është zyrtarizuar si pjesë e formacionit gjirokastrit mbrojtësi i majtë Vangjel Zguro, i cili do të udhëtojë drejt Verias për t’u bashkuar me grupin. Gjithashtu pritet të mbërrijnë edhe tre futbollistë të huaj, për të cilët ende nuk jepet informacion i plotë. Sipas drejtuesve të Luftëtarit, ata do të jenë pjesë e ekipit për sezonin e ardhshëm. Bashkë me ekipin, në kampingun stërvitor vazhdon të qëndrojë edhe presidenti i ekipit, Grigor Tavo.

MAHMUTAJ – Nga lojtarët e grumbulluar pesë prej tyre janë futbollistë të rinj që më parë kanë qenë pjesë e ekipit të Luftëtarit U19. Ka një reagim në rrethet sportive që duhej të kishte më shumë futbollistë gjirokastritë, por ajo që bën më shumë përshtypje dhe habi është mospërfshirja e futbollistit të ri Rudi Mahmutaj. Kjo për faktin se në sezonin që sapo përfundoi në kampionatin e të rinjve, ku Luftëtari u shpall kampion, Mahmutaj ishte shënuesi më i mirë me 19 gola. Gjithashtu ka qenë i grumbulluar me kombëtaren e 17-vjeçarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *