Është vetëm 21 vjeç dhe nuk ka frikë nga asgjë. Ka tentuar Qipron, është kthyer në Greqi, ka shkuar në Korsikë. Është një ishull me tifozë të egër, duhen lojtarë me karakter të fortë, Laci është i tillë.
Olimpiakosi ia di vlerën dhe nuk e fal, ndaj Azhakso, ose Ajaksi i Korsikës, e ka marrë në huazim, pasi kapiteni Johan Kavali nuk i luan dot më të gjitha ndeshjet.
Laci nuk është ende titullar fiks, ka nisur një ndeshje nga fillimi, por mbrëmë u fut sapo shënoi kapiteni nga pika e bardhë, pas rreth një ore lojë. Laci zëvendësoi Kavalin dhe pak minuta para fundit imitoi kapitenin, duke shënuar golin që vulosi fitoren 2-0 të Azhaksosë kundër Parisit, jo San Zhermenit, por Paris FC-së.
Qazim Laci Goal HD – AC Ajaccio 2 – 0 Paris FC… by footballgoalshow
Është ende herët për të ëndërruar Ligën 1, por Laci ka shënuar golin e parë në karrierë në nivel klubesh dhe rruga është e duhura. Po mëson frëngjisht, po mëson të luajë si veteran, së shpejti do ta shohim lart, shumë lart, nëse ruan këtë ritëm. Nuk ka mundur të shpërthejë më herët, por shpesh fenomenët 18-vjeçarë digjen nga fluturimi afër diellit. Laci fluturon ulët, për momentin shijon diellin e Korsikës, duke e ditur se Oimpiakosi vazhdon ta ketë në konsideratë. Edhe Shqipëria, patjetër, pasi si kuqezi ka shënuar golin e parë të karrierës dhe kombëtarja mbetet dashuria e parë.