Tërbuni ka zbritur në fushën e blertë ditën e djeshme, teksa në stërvitje kanë zbritur disa lojtarë që ndër vite janë aktivizuar në Superiore dhe në skuadra pretendente në Kategorinë e Parë. Në seancën e djeshme ishte i pranishëm edhe shkodrani Valdan Nimani, i cili është formuar si futbollist te Vllaznia, por kulmin në karrierën e tij e ka pasur me skuadrën e Laçit, duke fituar dy herë Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën, ndërkohë që është aktivizuar dhe ka shënuar edhe në kupat e Europës. Vjet ishte pjesë e Kamzës, që u ngjit në Superiore, ndërsa tani i është bashkuar skuadrës së Tërbunit, duke u vënë nën urdhrat e trajnerit Kreshnik Krepi, që do të ketë në dispozicion një futbollist me përvojë që luan të në të gjitha pozicionet e sulmit.
TË TJERËT – Veç mesfushorit Nimani, një tjetër futbollist me përvojë është bashkuar me pukjanët. Bëhet fjalë për mbrojtësin Arbër Shytani, më parë shok skuadre me Nimanin në Laç. Prej vitit 2011 ai ishte pjesë e Besëlidhjes së Lezhës, prek ku është larguar këtë verë. Prapavija duket e plotësuar, pasi te Tërbuni ka ardhur edhe Izmir Balaj nga Apolonia dhe është rikthyer Dritmir Beci, që u mendua se do të ishte pjesë e skuadrës së Kastriotit, por së fundmi është larguar nga krutanët dhe ka nisur përgatitjet me Tërbunin.
Gani Pema