Ramadani e Sormani nuk ndalen së fituari në Danimarkë

Adolfo Sormani pati një aventurë të shkurtër dhe të pafat sezonin e shkuar te Partizani, ku nuk i dhanë shumë kohë dhe i bënë dalje edhe tifozët ultras. Megjithatë, trajneri italian duket se ka gjetur ambientin ideal në Danimarkë, te Vejle.

Klubi danez ka nisur një projekt ambicioz dhe i ka besuar Sormanit ndërtimin e një ekipi të ri e fitues. Me një buxhet jo të vogël, Sormani kërkoi me ngulm Ylber Ramadanin nga Partizani dhe talenti i Shqipërisë U-21 është kthyer në një pikë kyçe te Vejle.

Katër ndeshje në sezonin e ri, vetëm fitore dhe me suksesin jashtë fushe sot, 2-1 në Esbjerg, Vejle ka marrë e vetme kreun e divizionit të dytë danez.

Nuk është vetëm Ramadani, sepse sot në mesfushë me të ishte edhe mesfushori 17-vjeçar Arbnor Mucolli, ndërkohë që në ekip është edhe vëllai i tij, Agon Mucolli. Të dy janë me origjinë shqiptare, por lindur e rritur në Danimarkë, si dhe janë pjesë e kombëtareve të moshave të Danimarkës. Te Vejle këtë verë ka shkuar edhe Lundrim Hetemi, tjetër mesfushor i ri dhe i talentuar, investim për të ardhmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *