Mesfushori Erlind Korreshi rrezikon të qëndrojë gjatë gjithë fazës së parë jashtë fushës së blertë. Lajmin e bën të ditur për “Sport Ekspres” vetë lojtari, i cili ka pësuar një dëmtim serioz në gju gjatë miqësores, që Lushnja zhvilloi në Itali ndaj Leçes të enjten e shkuar.
“Dëmtimi që pësova në Itali ka rezultuar mjaft i rëndë. Kisha dhimbje therëse dhe gjuri pësoi edhe një enjtje, që vazhdoj ta kem ende. U konsultova me mjekun e Leçes dhe ai më rekomandoi të bëja rezonancën, pasi të jetë eliminuar enjtja. Më vjen shumë keq, që më ndodhi ky dëmtim, sepse nuk më lejon të kryej fazën përgatitore me shokët në Pogradec. Gjithsesi, këto gjëra ndodhin në futboll. Me durim dhe qetësi do t’i nënshtrohem fazës së riaftësimit, që të jem sa më shpejt në fushë”, – ka thënë me keqardhje mesfushori lushnjar.