Beratasi e ka mbyllur aventurën me ekipin e Banos, por nuk ka pranuar ta bëjë publike arsyen e këtij largimi të shpejtë
Arjan Likja
Goditja e fundit në merkato e Lushnjës është mesfushori pogradecar Hermes Shkulaku. Një blerje, që ka entuziazmuar sportdashësit e ekipit verdhejeshil, duke pasur parasysh vlerat dhe talentin e këtij futbollisti. Por ky gëzim është zbehur disi nga një lajm jo i këndshëm nga kampi myzeqar. Mbrojtësi Enea Bitri, i cili kishte firmosur kontratën 1-vjeçare me Lushnjën, nuk ka udhëtuar me ekipin për të vazhduar fazën përgatitore në Pogradec. Në fakt, stafi teknik në një farë mënyre e ka mbajtur të fshehur këtë lajm. Nuk dihen ende arsyet, që e kanë detyruar mbrojtësin e talentuar beratas ta mbyllë pa e nisur mirë aventurën e tij lushnjare në Superiore, por largimi i tij tashmë është fakt. Bitri nuk do të jetë pjesë e Lushnjës dhe në një kontakt telefonik 21-vjeçari nuk ka dashur t’i bëjë publike arsyet, që e çuan drejt këtij divorci të shpejtë. Për “Sport Ekspres” ai është shprehur: “Nuk jam më pjesë e Lushnjës dhe arsyen e largimit nuk dua ta bëj publike. Për mua ishte kënaqësi që isha pjesë e këtij ekipi për atë kohë të shkurtër. I uroj suksese Lushnjës në Superiore, ndërkohë që jam në kërkim të një ekipi tjetër”.
POGRADECI – Periudha kohore e zhvillimit të stërvitjes në “Roza Haxhiu” ishte një “ferr” i vërtet për ekipin verdhejeshil. Terreni ishte skandaloz, ndaj dhe me zhvendosjen në Pogradec myzeqarët kanë ndezur fuqishëm motorët për të rikuperuar kohën e humbur. Dje futbollistët e Lushnjës janë stërvitur me 3 seanca dhe kështu do të vazhdojnë derisa stafi teknik të bindet se parametrat fizikë të tyre do të jenë në nivelin e duhur. Në orën 6:00 fillon stërvitja me një kros në natyrë. Seanca e dytë stërvitore është zhvilluar në orën 9:00, me ushtrime force dhe vrapime. Seanca e pasdites ka vijuar me ushtrime tekniko-taktike, ku ngarkesën fizike futbollistët e kanë marrë kryesisht në kontakt me topin. Kështu, 2 javët e përgatitores pogradecare do të jenë mjaft të ngjeshura për futbollistët verdhejeshilë.