Trajneri i Flamurtarit ka një mesazh për dy sulmuesit. Nuk e shqetësojnë golat e pësuar në miqësore dhe thekson se nuk ka pse të bëhen të tjera përforcime
Elton Nika
Dhjetë ditë përgatitje në Mavrovë dhe dy ndeshje miqësore për Flamurtarin. Një fitore dhe një humbje, ndërsa vlonjatët pritet të zhvillojnë edhe një tjetër ndeshje miqësore gjatë qëndrimit në Maqedoni. Dy seanca stërvitore në ditë, një periudhë disi e ngarkuar, por trajneri Shpëtim Duro, duke bërë një përmbledhje të asaj çfarë është zhvilluar deri më tani, shprehet i kënaqur për 10 ditët e kaluara në Mavrovë. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, numri 1 i stolit vlonjat është shprehur:
— Duro, si po shkon faza përgatitore dhe si e vlerësoni gjendjen e skuadrës deri tani?
– Mund të them me bindje të plotë se faza përgatitore e zhvilluar deri më tani në Mavrovë ka shkuar mjaft mirë. Jemi duke punuar në kushte mjaft komode, në temperatura më të freskëta, duke parë situatën në Shqipëri. Lojtarët janë duke marrë ngarkesën e plotë dhe natyrisht që kushtet ndikojnë në këtë drejtim. Lajmi i mirë është që nuk kemi pasur dëmtime dhe kështu kemi pasur mundësinë të punojmë me grup të plotë.
— Dy miqësore me skuadra maqedonase, ku keni marrë një fitore dhe keni pësuar një humbje…
– Normalisht, në miqësore rezultati nuk merret shumë për bazë, por do të thosha se, kur luan një ndeshje, edhe rezultati duhet të vlerësohet. Kemi fituar në ndeshjen e parë në Mavrovë, ndërsa dje (të enjten) kemi udhëtuar drejt Gostivarit, ku luajtëm në temperatura mjaft të lartë. Megjithatë, kemi provuar të gjithë lojtarët, çka ka më shumë rëndësi në ndeshjet miqësore. Të gjithë janë aktivizuar dhe ne kemi parë gjendjen e tyre
– Tre gola të pësuar në dy ndeshje sikur janë shumë. Ju shqetëson ky fakt?
– Nuk e mendoj kështu. Ne kemi menduar të bëjmë edhe eksperimente në lojën e Flamurtarit, duke ndryshuar edhe rolet në fushë, apo duke u dhënë shansin, siç e thashë edhe më lart, të aktivizohen të gjithë. E rëndësishme mbetet që skuadra të jetë gati për nisjen e kampionatit, por nuk duhet të harrojmë se kemi dhe gati një muaj deri në ndeshjen e parë. Edhe vendosja e lojtarëve, që ka ndikuar në golat e pësuar, por nuk përbën shqetësim, rëndësi ka të vijojmë të punojmë maksimalisht.
– Alvesh, më në fund pranë skuadrës. Çfarë do të thoshit për brazilianin?
— Nuk ka pasur asnjëherë dyshime për këtë fakt. Braziliani kishte thënë disa herë se do të ishte pjesë e Flamurtarit dhe në stërvitje ka qenë mjaft mirë, i qetë dhe pa asnjë shqetësim. Alvesh është bashkuar disi me vonesë me grupin dhe e kam aktivizuar pak minuta në miqësoren e dytë, por duket qartë se nuk ka kondicionin e duhur. Megjithatë, vazhdon të punojë ashtu si edhe gjithë pjesa tjetër e skuadrës.
– A është mbyllur merkatoja me rikthimin e këtij lojtari?
– Alvesh dhe Bushiç janë ideuar nga unë si lojtarët e sulmit të skuadrës që prej fillimit dhe natyrisht të gjithë presim shumë nga këta lojtarë. Duke menduar Alveshin dhe Bushiçin, por edhe lojtarë të tjerë që kemi në skuadër, nuk kemi pse futemi në merkato. Megjithatë, duhet të kuptojnë si Alvesh, ashtu edhe Bushiç, se duhet të marrin më shumë përgjegjësi për Flamurtarin. Tashmë e dinë qartë se janë lojtarët, te të cilët besohet shumë. U kam dhënë besimin maksimal dhe ata duhet ta tregojnë në fushën e lojës se çfarë janë në gjendje të bëjnë. Duhet të marrin shumë përsipër.
– Keni programuar edhe një tjetër fazë në Greqi?
– Po, e vërtetë. Pas kthimit nga Mavrova, për pak ditë do të qëndrojmë në Vlorë, ndërsa më pas do të nisemi drejt Greqisë për një periudhë, që do të jetë shumë e rëndësishme, pasi aty skuadra do të marrë formën e plotë të saj, atë skuadër që ne pretendojmë gjatë sezonit të ardhshëm, duke përfshirë të gjithë ata lojtarë që do të jenë pjesë e Flamurtarit.