Vladimir Prenga
Kamza ka një mision të vështirë sivjet, pasi për skuadrat që vijnë nga Kategoria e Parë në Superiore është shumë e vështirë gara në elitë, sidomos duke parë që ekipi i drejtuar nga Ramadan Ndreu po ndërtohet nga fillimi. Ajo që bëri vjet Luftëtari e prishi disi “traditën” dhe të njëjtën gjë do kërkojë të bëjë edhe Kamza me Lushnjen, ekipet që u ngjitën në fund të muajit maj në Superiore. Presidenti Qarri, me mbështetjen e kryebashkiakut Mziu, po punon për ta përforcuar skuadrën me disa lojtarë cilësorë. Strategjia është e qartë: kërkohen lojtarë që e njohin kampionatin dhe që kanë eksperiencën e duhur për ta përballuar garën këtë sezon. Trajneri Ndreu e ka pranuar se sivjet do të jetë një sfidë dhe duhen arritur dy objektiva shumë të rëndësishme, fillimisht garantimi i qëndrimit në Superiore, gjë që u mundëson atyre edhe bazën e ekipit për sezonin pasardhës. Nuk është e lehtë dhe për këtë kanë bërë edhe katër afrimet e para. Zgjidhja për mbrojtjen e katërkëndëshit ka ardhur, pasi ditën e shtunë është gjetur marrëveshja me portierin Argent Halilaj, i cili edhe ka firmosur kontratën me Kamzën. Njëjtë si ai më parë kanë bërë edhe dy mesfushorët qëndrorë, braziliani Bruno Arrabal dhe Alfred Zefi. Arrabal ka luajtur në Qipro rregullisht dhe bëhet fjalë për një lojtar cilësor, ndërkohë që edhe Zefi është i provuar, pasi prej 7 sezonesh luan në Superiore, ku ka veshur fanellën e Laçit dhe të Korabit vitin e fundit. Gjithashtu edhe problemet me krahun e djathtë të mbrojtjes kanë marrë zgjidhje, pasi është afruar Hektor Idrizaj, ish-futbollist i Skënderbeut, Flamurtarit, Teutës dhe Bylisit. Që të katër këta futbollistë, pritet të prezantohen ditën e sotme, ndërkohë që do të ketë të tjera lëvizje këtë javë.
OBJEKTIVAT
Prej kohësh Kamza i ka bërë një ofertë mesfushorit Masato Fukui, ndërkohë që ende nuk ka një marrëveshje mes palëve. Sulmi është reparti që i duhet gjetur një zgjidhje, pasi për momentin në ekip është vetëm durrsaku Ermir Rezi. Drejtuesit po vëzhgojnë jashtë vendit për ta gjetur atë, sikurse edhe një qendërmbrojtës cilësor. Nga kampionati vendas pritet të afrohen edhe disa lojtarë të tjerë dhe gazeta mëson se një opsion për prapavijën është Elvis Prençi, 24-vjeçari që vjet ishte pjesë e Korabit. Qendërmbrojtësi nga Peshkopia, më parë ka provuar të veshë edhe fanellën e Kukësit, Partizanit dhe Teutës.
NOEL NIASON – Prej më shumë se një jave, nën urdhrat e trajnerit Ramadan Ndreu ishte vënë edhe sulmuesi anësor Noel Niason. 23-vjeçari ganez, që në korrik luajti në Europë me Florianën, ndërsa më parë kishte luajtur në Greqi dhe Belgjikë, ka shumë pak mundësi qëndrimi te Kamza. Duke parë faktin që në ekip aktualisht janë dy të huaj, si Lelis dhe Arrabal, që për momentin konsiderohen titullarë, dhe dëshirën për të afruar një sulmues dhe një qendërmbrojtës nga jashtë, për Niason hapësirat janë të pakta, ndaj edhe në klub po mendojnë që të bëjnë afrime nga vendi.