Roberto Baxhio mbetet një personazh i jashtëzakonshëm, edhe pse ka vite që është larg futbollit dhe nuk ka ndërmarrë as rrugën e trajnimit, ndryshe nga shumë ish-futbollistë me emër. Megjithatë, tashmë 50-vjeçar, ish-fituesi i Topit të Artë është pranë futbollit dhe ka projekte për të ardhmen, ndërsa ka dhënë një intervistë mjaft interesante për Corriere dello Sport, ku ka folur për tema të ndryshme, nga e shkuara e deri tek e ardhmja.
JETA LARG FUTBOLLIT TË LUAJTUR “Kur lashë futbollin, kisha dhimbje të tmerrshme fizike, ndaj isha i përgatitur. Është më e vështirë të përballosh faktin që mbush 50 vjeç. Tani jam më i zënë sesa kur isha futbollist, nuk kam shumë kohë të mendoj, po punoj edhe për një projekt të ri që do ta zbuloj kur të jetë gjithçka gati. Megjithatë, ditët e mia janë bosh pa futbollin e luajtur”.
TRASHËGIMTARI “Nuk e di, të them të drejtën. Shoh shumë futboll amerikano-jugor dhe, si tifoz i Boka Zhuniorsit, më pëlqen shumë Adrian Senturion, por duhet të përmirësohet jashtë fushës së blertë, si karakter”.
FUTBOLLI I KOHËS SË BAXHIOS “Kur luaja unë, kishte lojtarë që nuk dinin ta ndalnin topin as me duar, por ofendonin gjithkënd dhe dukeshin si gladiatorë në sytë e njerëzve. Unë nuk i kam bërtitur kurrë një shoku skuadre kur ka gabuar, sepse mendoja se do të gaboja edhe unë”.
SIKUR TË LUANTE NË NJË EPOKË TJETËR “Po të luaja tani, do ia kisha dalë mbanë të luaja disa vite më shumë. Dhe jo vetëm unë. Në kohën time në fillim prisje shkelmin dhe pastaj mendoje si të ndaloje topin. Tani një lojtar rrezikon kartonin e kuq që në faullin e parë. Një herë e një kohë merrje goditje nga të gjitha anët dhe nuk e dija as kush të goditi”.
FUTBOLLI DHE NDRYSHIMI QË SOLLI ARRIGO SAKI “Nuk ishte e lehtë, vinim nga një futboll ku çdokush duhej të shpikte diçka dhe nuk kishim kulturën futbollistike të tanishme. Ajo që dije mësohej në rrugë dhe nuk ka mësonte askush. U bë popullor anti-futbolli. Ata që luanin në rolin tim e kishin mjaft të vështirë. Zola iku në Angli për të gjetur hapësirë… Sot do luaja si sulmues i dytë në një 4-3-1-2, e sigurt. Në krah të një sulmues të fuqishëm”.
MBROJTËSI MË I MIRË “Paolo Maldini: kur të dilte përpara, e dije që nuk do kaloje dot. Ishte i madh, i fortë me kokë, me të djathtën dhe të majtën… Duhej të bëje bashkë 15 lojtarë për të bërë një si Maldini”.
KUNDËRSHTARI I PREFERUAR “Marko Van Basten, me atë e ndërroja fanellën me shumë dëshirë. Do më kishte pëlqyer shumë të luanim së bashku”.
FIORENTINA “Kam pasur dhe do të kem gjithmonë një ndjenjë mirënjohjeje kundrejt Firences, për dy vitet që nuk luajta pas dëmtimit tim të parë në gju. Nuk kisha luajtur kurrë dhe njerëzit më qëndruan pranë, u treguan dashamirës dhe më stimuluan të mos dorëzohesha, por të kisha durim, duke e ditur se Fiorentina po më priste. Janë gjëra që nuk i harroj kurrë. Besoj se edhe Borha Valeros i ka ndodhur diçka e tillë”.
MUZIKA “Kur isha në Firence adhuroja The Eagles, e dëgjoja pa fund kur isha i dëmtuar”.
TREGU AKTUAL “Qarkullojnë shifra të çmendura, e vërtetë. Sa do vleja unë tani? Nuk e kam idenë…”.
DASHURIA E NJERËZVE “Besoj se, me vetëdije apo jo, kam kërkuar gjithmonë të zbavit njerëzit. Ishte mënyra ime e thjeshtë e të luajturit, por edhe të sjelljes si person. Jam ndier gjithnjë njësoj me tifozët që vinin të më shihnin, nuk jam ndier një yll: ndoshta ajo ka qenë forca ime”.
BOTËRORI ’94 “Herë pas here e mendoj atë penallti të humbur në finale kundër Brazilit, por ende nuk e kam gjetur shpjegimin e atij gabimi. Hidhërimi mbetet i njëjtë si në 1994, nuk është zvogëluar nga koha. Mendoj se nuk do kalojë kurrë. Do të më pëlqente të kthehesha pas në ato vite. Janë kujtime intime, të thella e shumë të bukura, përveç finales. Rruga ishte e jashtëzakonshme. Nuk e mendoja kurrë se do të vinte koha kur njerëzit do të dëshironin të vishnin atë që ne vishnim atëherë. Do të thotë që ndoshta ke lënë diçka të bukur dhe të thellë, edhe pse… është Botërori ’90 ku ndieja se mund të bëja gjithçka”.