Në një korrespondencë me Sportradar, “Sport Ekspres” ka mësuar arsyet e ndalimit të Kukësit nga policia austriake për të marrë në pyetje disa lojtarë dhe pjesëtarë të stafit të klubit verilindor.
Drejtori i Komunikimit në Sportradar, Aleks Inglot, ka sqaruar se ka qenë pikërisht Sportradar dhe asnjë kompani tjetër ajo që ka kërkuar hetimin austriak: “Faleminderit për interesimin dhe i vlerësojmë përpjekjet tuaja për të marrë informacionin real mbi këtë çështje. Fatkeqësisht, ky është një hetim që po zhvillohet në momentet që flasim, ndaj nuk mund të futemi në detaje të hollësishme. Megjithatë, ajo që mund të themi është se Sportradar ka një partneritet zyrtar integriteti me UEFA-n dhe FIFA-n dhe ne shpesh monitorojmë edhe ndeshje miqësore. Ne i sinjalizuam shqetësimet tona te organizatat zyrtare të interesuara dhe duke qenë se kemi një marrëdhënie afatgjatë me Policinë Austriake, ne u raportuam atyre gjithçka ka ndodhur në ndeshjen e Kukësit dhe kemi ofruar ndihmën tonë në përpjekjet e autoriteteve austriake për zbardhjen e kësaj historie”.
Në lidhje me rolin e mundshëm të Federbetit dhe akuzave të kësaj kompanie ndaj Kukësit, Inglot sqaron: “Mund të saktësoj se asnjë kompani tjetër nuk bashkëpunon me Policinë Austriake dhe nuk është marrë parasysh asnjë lloj sinjalizimi apo aludimi për manipulim ndeshjesh, nga cilido burim”.