Futbollistët e kuq do të rikthehen në punë në muajin gusht. Ndihmësi i tij Preiti u komunikon lajmin ekipit të kuq
Shtyrja e kampionatit ka bërë që skuadra e Partizanit të marri pushime të gjata. Ekipi i të kuqve pas eliminimit nga Europa League do të ndalet dhe do të pushojë. Skuadra nuk do të stërvitet për rreth 1 muaj. Vendimi është marrë nga Drejtori i Përgjithshëm Luçiano Moxhi. Italiani ka menduar që të zgjedhë këtë formë për të nisur punën për sezonin e ri. Drejtori i Përgjithshëm e ka marrë këtë vendim jo pa arsye. Ai ka biseduar me pjesëtarët e tjerë më të vjetër të klubit.
PUSHIMI – Partizani do të pushojë për 1 muaj. Ekipi i “demave” do të nisë përgatitjet në gusht, në kuadër të sezonit të ri. Futbollistët janë lënë të lirë dhe do të shijojnë pushimet me familjet e tyre. Të kuqtë me të mbërritur në Tiranë janë shpërndarë.
ARSYEJA – Një pushim kaq i gjatë nuk ndodh pa arsye. Drejtori i Përgjithshëm Luçiano Moxhi ka vendosur të pushojë lojtarët për 1 muaj duke qenë se kanë 3 vite që nuk pushojnë në intervale të gjata. Mbarimi i kampionatit ka sjellë menjëherë aktivitetin në Europë dhe “demat” nuk e kanë shijuar verën siç duhet. Italiani në krye të klubit i ka kërkuar të pushojnë dhe të rifitojnë të gjitha energjitë e humbura. Futbollistët duhet të jenë gati për sezonin e ri. Vendimi i është komunikuar atyre nga ndihmësi i Moxhit, Antonelo Preiti.
PREITI – Ka qenë zyrtari më i ri i “demave” që u ka komunikuar lojtarëve pushimin. “Do të merrni 1 muaj pushim. Kam folur edhe me drejtorin Moxhi dhe kemi vendosur kështu. Duke qenë se keni 3 vite që nuk bëni pushime si duhet menduam të jetë ky viti i duhur. Shijoni pushimet dhe relaksohuni, rimerrni energjitë për sezonin e ri që do të nisë në shtator”, – u ka thënë Preiti atyre, mëson “Sport Ekspres”.