E vetmja lëvizje, edhe pse jo zyrtare, është konfirmimi i stafit teknik, por situata mbetet gri, sepse myzeqarët janë të vonuar në çdo aspekt
Arjan Likja
Eshtë mbyllur muaji qershor dhe në kampin lushnjar të futbollit nuk duket asnjë shenjë jete për sa i përket organizimit të ekipit të Superiores. E vetmja lëvizje e deritanishme, edhe pse jo zyrtare, është konfirmimi i stafit teknik nga kryebashkiaku Tushe. Pra, dyshja Bano-Çuko do të drejtojë Lushnjën edhe sezonin e ardhshëm. Nga sa është lënë të kuptohet në deklarimet e stafit teknik, thuajse i gjithë grupi i futbollistëve titullarë, që e ngjiti Lushnjes në Superiore, ka dëshirën për të vazhduar me ekipin mëmë. Madje, këtë dëshirë nuk kanë nguruar ta bëjnë publike edhe “jabanxhinjtë” e Lushnjës, siç janë fieraku Mone apo dy peqinasit Branica dhe Magani. Kapiteni Gentian Çela, portieri Spaho e me radhë Xhafa, Taullau, Ruço, Canka, Byzhyti, Baze, Sefa, Allkanjari etj., e kanë thënë hapur se duan t’i qëndrojnë besnikë Lushnjës dhe presin të mësojnë datën e nisjes së përgatitjeve. Natyrisht, ky është një lajm i mirë për tifozërinë e qytetin myzeqar.
FINANCAT – Nga ana tjetër, të gjithë në Lushnjë e dinë frikën e sigurimit të financave të nevojshme për një Lushnjë dinjitoze dhe konkurruese në elitë, ku verdhjeshilët kthehen pas 3 sezonesh. Kjo frikë e ultrasve lushnjarë i ka bazat te deklarimi i pak ditëve më parë i kryebashkiakut Tushe, i cili ka theksuar se Lushnja e Superiores nuk do të shesë aksione dhe do të financohet vetëm nga bashkia. Buxheti vjetor i miratuar nga Këshilli Bashkiak për ekipin e futbollit nuk e kalon shifrën e 30 milionë lekëve të reja, që do të thotë se është shumë e vështirë edhe për objektivin minimal, qëndrimin në Superiore. Eshtë një shifër e ulët, e pamjaftueshme për të përballuar një sezon të vështirë. Mungesa e donatorëve të tjerë reflektohet edhe në merkato, ku drejtuesit e Lushnjës nuk kanë bërë asnjë lëvizje deri tani. Fillimi me vonesë i fazës përgatitore është një tjetër shqetësim, që ngrihet nga shumë specialistë të futbollit në qytet, ish-futbollistë dhe ish-trajnerë. Po ashtu, kryerja e fazës përgatitore në kushtet e shtëpisë do të ishte një tjetër pengesë, nëse kemi parasysh temperaturat e larta në qytetin myzeqar.
Por ajo që e “vulos” këtë situatë gri në ekipin lushnjar është vonesa në fillimin e punimeve për rikonstruksionin e stadiumit “Roza Haxhiu”, ku natyrisht përfshihet dhe shtrimi i tapetit të ri. Kjo do të thotë se lushnjarët mund të zhvillojnë shumë ndeshje shtëpiake në fushë asnjanëse dhe do të penalizohen jo pak nga ky fakt, sepse nuk do të kenë përkrahjen e tifozërisë së tyre, që dihet se është një plus i madh për skuadrën.c