Zhufo është zyrtarisht futbollist i Flamurtarit, duke u prezantuar nga klubi gjatë firmosjes së kontratës.
Mesfushori Nildo Viktor Zhufo është afrimi i fundit i Flamurtarit në tregun e verës. Bëhet fjalë për një mesfushor brazilian, i cili ka luajtur prej janarit të vitit 2015 te Shkëndija dhe Duro e njeh mirë, duke e drejtuar vetë për një periudhë kohe.
Zhufo është 24 vjeç, përdor mjaft mirë këmbën e majtë dhe ka një teknikë të nivelit të lartë. Te Shkëndija ka luajtur kryesisht si mesfushor i majtë, por është i zoti të luajë edhe në qendër, në rolin e organizatorit apo edhe më i avancuar. Në dy sezone e gjysmë në Tetovë, Zhufo ka luajtur 45 ndeshje e ka shënuar 12 gola në të gjitha kompeticionet, por ka qenë vërtet i pafat, sepse në periudha të ndryshme ka pësuar dëmtime që e kanë lënë jashtë për një kohë të gjatë. Kjo ka qenë arsyeja pse nuk ka qenë titullar i paprekshëm në Tetovë, por tifozët e duan shumë dhe largimi i tij është pritur jo mirë. Dje Shkëndija njoftoi përfundimin e marrëdhënies me mesfushorin, i cili edhe vetë në Facebook ka postuar një mesazh ku përshëndetet me Tetovën dhe “Ballistët”.