Na jepni Shpresë, Bushi: Nëse fitojmë, do të nisë ëndrra!

 

Trajneri i beson grupit, por shprehet se duhet të japin 200%: Vetëm duke e konsideruar çdo ndeshje një finale mund të mendojmë për të shkuar në Europian

Fatmir Popja

Pritja mbaroi. Kombëtarja U-21 e drejtuar nga Alban Bushi, sot në “Elbasa Arena” do të nisë rrugëtimin e saj drejt ëndrrës së madhe për të imituar kombëtaren e madhe, që një vit më parë debutoi në Francë, përballë Zvicrës. Një përrallë e cila u kthye në realitet. Të cilën edhe Shpresat duan ta “shkruajnë”. Stacioni i parë nis nga Estonia, që do të zhvillojë ndeshjen e saj të dytë në grup, pasi në Talin u mund 1-2 në fund nga Irlanda e Veriut, që kryeson grupin… Do të duhet një Shqipëri cinike, e vendosur dhe që duhet të japë 200%, ashtu sikurse shprehet edhe trajneri Bushi, i cili nga “Elbasan Arena” do të rrëfente përshtypjet e tij në konferencën për shtyp.

 Edhe pse kemi një ekip 21-vjeçarësh, ka prurje të reja mjaft cilësore. Qëllimi është të arrihen fitore të sigurta me këtë kontingjent. A keni merak për këtë ndeshje, që relativisht duket e vështirë?

Fitore të sigurta në futboll nuk ka. Ekipi është në rritje e sipër. Është thuajse i bërë i gjithi, në krahasim me të vjetshmin. Mendoj se janë ndërthurur me njëri-tjetrin. Ndeshja me Francën e tregoi këtë, pavarësisht nga humbja që pësuam, por treguam se jemi ekip bllok që dimë të mbulojmë dhe sulmojmë të gjithë, duke dalë përpara. Megjithëse, ndaj Francën krijuam pak raste, në tërësi ishte sfidë pozitive. Ndaj Estonisë mendoj se do të luajmë në sulm, por duke pasur edhe kujdes mbrapa. Agresiviteti s’duhet të mungojë. Uroj ta kalojmë me sukses.

Prurjet e reja do të përfshihen në formacionin bazë?

Kemi krijuar një grup shumë të mirë, me element të ri, që momentalisht ka 80-90 lojtarë në tërësi. Kemi 10 mungesa, pasi gjashtë nga ata luajtën ndaj Moldavisë. E mendoja se do të ishin pjesë e skuadrës deri tani, por fakti është se nuk janë, për arsye forme ose dëmtimesh. Megjithatë, jam i kënaqur. Kemi 10 ditë që punojmë me njëri-tjetrin dhe mendoj se kemi bërë gjëra të mira në stërvitje. Uroj që t’i tregojmë në lojë.

Shumë e nevojshme prania e tifozëve. A besoni se ata do të jenë lojtari i 12-të në shkallët e stadiumit?

E kam thënë gjithmonë se tifozët për ekipin shqiptar janë lojtari i 12-të dhe s’bëjmë dot pa ata. Sigurisht që e kemi parë që sa herë janë ata, kemi bërë mjaft mirë. Kur i kanë lënë bosh shkallët, s’kemi dhënë më të mirët. Shpresoj që të jenë në shkallët e stadiumit dhe do t’i shpërblejmë ashtu si duhet.

Sa e rëndësishme do të jetë t’i nisni me fitore këto kualifikuese, pasi duhet thënë që Estonia ndaj Irlandës së Veriut e nisi me humbje të pësuar në shtëpi vetëm në fund (1-2 në Talin)?

Është e rëndësishme ta nisësh me fitore, por duhet mobilizim dhe përqendrim në fushën e lojës, pasi nuk jemi as te 19-të vjeçarët as 15-vjeçarët, por 21-vjeçarët dhe mund ta pësosh në çdo moment. Estonia luan një futboll me topa të gjatë dhe duhet të shmangim të gjitha faullet në çdo kënd të rrezikshëm të fushës. Dua që ekipi të japë 200% në fushë. Kjo ka rëndësi, por nëse fitojmë dhe s’fitojmë s’ka edhe shumë rëndësi. Fundja, futboll është dhe i ka të tre rezultatet brenda.

Çekiçi dhe Bare kanë thënë se objektivi i Shqipërisë është vendi i parë. Sa mendoni se mund të arrini këtë objektiv, duke qenë se keni ekipe si Estonia, Spanja apo Irlanda e Veriut, duke krahasuar se vjet ishin lojtarë si Rashica, Manaj e me radhë?

Nuk është keq të ëndërrosh për vendin e parë, por në fillim duhet të nisësh të ëndërrosh për nesër (sot), të fitosh në fushë. Objektivi ynë nuk është vendi i parë. Pas Estonisë, vjen ndeshja tjetër. Nuk shohim aq larg sa vendi i parë. Ta mendojmë Estoninë si finale. i kam thënë edhe djemve. Nëse fitojmë ndaj Estonisë, atëherë gjithsecili duhet ta ketë në kokë që mund të shkojmë në Europian. Nesër nëse fitojmë, kualifikohemi në Europian. Me këtë mendje duhet të futen në fushë në çdo ndeshje.

Diçka për gjendjen e skuadrës, duke nisur nga Çekiçi, i cili u dëmtua ndaj Francës. Ka arritur të rikuperojë?

Çekiçi nuk do të jetë, pasi është i dëmtuar. Leonardo Maloku, Bytyqi, Qazim Laci, gjithashtu të dëmtuar. Por, siç e thashë, kemi të tjerë gati, por duhet pak kohë, pasi tani po luajnë bashkë, ndërsa Estonia ka kohë. Në gjithmonë në ekipin kombëtar vijnë lojtarët më të mirë dhe që të ambientohen shpejt. Nëse japim maksimumin ndaj Estonisë, do të marrim rezultat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *