Notat, mbrëmje perfekte për Strakoshën dhe mbrojtjen!

 

Për Sadikun komentet janë të tepërta. Mavraj, Hysaj dhe Memushaj udhëheqin kuqezinjtë si liderë të vërtetë. Kukeli dhe Abrashi, të “domosdoshëm” 

Xhani De Biazi  8

I kthehet skemës së tij të besuar dhe triumfon bindshëm ndaj kundërshtarit, që prishi gjithë planet e tij për këto eliminatore. Fitorja në fushën e Izraelit tregon qartë se Shqipëria e tij, pavarësisht formës jo të mirë të kohëve të fundit, meriton më shumë. Mbrëmjen e djeshme është rikthyer Kombëtarja e eliminatoreve të Europianit, ku Shqipëria bëri debutimin historik. Planet e trajnerit De Biazi kanë shkuar sipas parashikimeve në këtë ndeshje dhe lëvizjet e tij gjatë lojës e kanë ndihmuar skuadrën të marrë fitoren e thellë, 0-3. Në këtë triumf plotësisht të merituar, që ndoshta mund të ishte më i thellë, trajneri në largim ka dorën e tij.

Tomas Strakosha 7.5

Me kthimin e Berishës, stafi teknik do të ketë një dilemë shumë të madhe për titullarin e portës kuqezi. Portieri i Lacios, Tomas Strakosha, ka demonstruar dje klasin dhe maturinë e një titullari

shumë të rëndësishëm. Vigjilent dhe shumë i kujdesshëm në çdo moment, duke qenë në vendin e duhur në çdo tentativë të izraelitëve. Mund të veçohet një gjuajtje e befasishme e Zahavit, ku Strakosha ka reaguar shumë bukur, duke vërtetuar se zotëron një potencial të madh. Një element i fituar dhe një garanci më shumë për portën e Kombëtares.

Elseid Hysaj    7.5

Një nga ndeshjet më të mira për mbrojtësin e krahut të djathtë, që menaxhon shumë mirë energjitë e tij dhe çuditërisht ruan freskinë fizike deri në sekondën e fundit të ndeshjes. Saktësi në mbulimin e kundërshtarit, personalitet dhe shpejtësi në nxjerrjen e ekipit përpara. Edhe një asist në këtë 90-minutësh për të plotësuar spektrin e një ndeshjeje thuajse perfekte për të. Nuk e ul ritmin dhe nuk nënvlerëson asnjë aksion të kundërshtarit. Shumë serioz në çdo veprim, si një titullar i një ekipi të madh në Serinë A. Për t’u marrë shembull.

Mërgim Mavraj   7.5

Ka bërë liderin e prapavijës, ashtu siç bënte Lorik Cana. Me shiritin e kapitenit në krah, Mavraj ka bërë një ndeshje të madhe, duke orientuar drejt kolegët e repartit dhe duke mbyllur çdo hapësirë për sulmin e Izraelit. Shumë gjakftohtë dhe një menaxhues shumë i mirë i situatave të rrezikshme në zonën tonë, kryesisht në rastet e goditjeve standarde. Përvojën e tij e përcjell në mënyrën më të mirë në ekip, duke u dhënë qetësinë e nevojshme shokëve. Lideri i munguar.

Berat Gjimshiti 7   

Me ndonjë gabim sporadik, edhe Gjimshiti ka bërë një ndeshje relativisht të mirë. Pas pësimit të golit të parë, Izraeli është goditur psikologjikisht dhe mbrojtja jonë e ka pasur më të lehtë ta administrojë lojën. Me Mavrajn në krah mund të rritet dhe mund të përfitojë më shumë përvojë për të qenë edhe më mirë në të ardhmen. Çdo aktivizim si titullar i bën mirë dhe pa dyshim Gjimshiti do të jetë edhe më i vlefshëm për ekipin.

Naser Aliji     6.5

Një pjesë e parë e mirë për mbrojtësin e krahut të majtë, i cili ka pasur detyrën e vështirë të zëvendësonte kapitenin Agollin. Më aktiv në fazën sulmuese gjatë 45 minutave të para, kurse në pjesën e dytë është parë pak në fushë, ndoshta edhe për shkak të rezultatit, ku skuadra jonë duhej të administronte avantazhin e 2 golave. Eshtë përpjekur maksimalisht dhe mbetet një alternativë për krahun e majtë të mbrojtjes. Ndoshta edhe kundërshtari i tij na krah ia ka bërë më të lehtë punën, pasi Izraeli pak ka bërë në të djathtë.

Burim Kukeli    7

Mbetet një nga lojtarët më taktikë të Kombëtares, lojtar që trajneri De Biazi e pëlqen shumë, sepse ai zbaton me përpikëri çdo detyrë që i ngarkohet. I saktë me pasimet e tij në mesfushë, por edhe shumë i kujdesshëm në mbulimin e zonave në mbrojtje, kur ndonjëri nga mbrojtësit e krahëve dilte përpara. Nuk e mbylli ndeshjen, për shkak të një dëmtimi, megjithatë mbetet një nga titullarët, i cili sakrifikon më shumë për fanellën kuqezi. Eshtë lojtari më “i fshehur” në fushë, por nga më punëtorët. De Biazi ia di mirë vlerat.

Ledjan Memushaj 7.5

Në vazhdën e disa ndeshjeve të mira me Kombëtaren. Edhe mbrëmë vlonjati ka zhvilluar një 90-minutësh shumë pozitiv, që është finalizuar me golin e parë me fanellën kuqezi. Memushaj ka finalizuar saktë një aksion perfekt të skuadrës sonë, por gjatë gjithë ndeshjes ka qenë protagonist në aksionet sulmuese të Shqipërisë. Në mesfushën me pesë lojtarë, duket i domosdoshëm për formacionin e Kombëtares. Aktivizimi i rregullt me skuadrën e tij në Itali bën që forma e tij të jetë vërtet e mirë. I rëndësishëm në çdo aspekt.

Amir Abrashi    7

Një i rikthyer i rëndësishëm në formacion. Një lojtar, që nuk pushon në asnjë moment së vrapuari dhe ushtron një presion të madh te kundërshtari. Nuk ka elegancë dhe klas, por është një luftëtar i vërtetë në fushë. Ndoshta trajneri De Biazi ka gabuar me lënien e tij në stol, sepse nuk është rastësi që me të në fushë Kombëtarja është më solide, sidomos në fazën mbrojtëse. Ka një gjendje fizike optimale dhe i shërben jo pak skuadrës me atë çfarë jep në fushë.

Jahmir Hyka     7

Çuditërisht ka arritur të fitojë edhe dyluftime ajrore, por më shumë ka rënë në sy loja e tij gjatë pjesë së dytë, kur depërtonte lirshmërisht në krahun e majtë dhe mbante gjithmonë skuadrën tonë përpara. Eshtë munduar të shërbejë për Sadikun dhe më pas për Cikalleshin. Punon mirë në dyluftimet një kundër një, falë aftësive të tij të mira teknike. Një ndeshje vërtet e mirë për Jahmir Hykën.

Odise Roshi     7

Ishte i pari që u ul në stol nga trajneri De Biazi, por jo sepse po luante dobët. Mesfushori-sulmues u zëvendësua për shkak të rezultatit, kur Shqipëria udhëhiqte 0-2. Trajneri hodhi në fushë Lilën, një lojtar më mbrojtës se Roshi, i cili gjatë pjesë së parë u përpoq të bënte inkursionet e tij të zakonshme dhe të çorientonte mbrojtjen e Izraelit. Punoi mirë për aq minuta sa luajti

Armando Sadiku  8.5

Dy gola individualë të sulmuesit elbasanas. E djathta e tij ishte perfekte në ndeshjen e mbrëmshme, duke mos i lënë asnjë shans portierit kundërshtar. Ishte fitorja e tij dhe meriton të vlerësohet si “lojtari i ndeshjes”, sepse e zgjidhi gjithçka me veprimet e tij. Ndeshja më e mirë me Kombëtaren e Sadikut, i cili ishte shumë pranë golit të tretë, që do ta bënte edhe më të veçantë mbrëmjen e tij. Ishte ai që ia bëri gjithçka të lehtë skuadrës sonë në ndeshjen me Izraelin, ku trepikëshi ishte plotësisht i merituar. Dopieta e djeshme do t’i rritë edhe më shumë kreditet e sulmuesit kuqezi në merkaton verore,

Andi Lila  7

Hyri në fushë në minutën e 52-të dhe u kujdes shumë për të frenuar sulmet e Izraelit në të majtë. Si gjithmonë, nuk kursehet aspak dhe dylufton fuqishëm për çdo top, duke vënë zemrën në fushë. Një veteran, që jep gjithçka për fanellën kuqezi.

Sokol Cikalleshi 7

Rreth 20 minuta në fushë dhe mund të ishte pa notë, por Cikalleshi arriti të lërë shenjë për aq sa ishte në fushë. I fortë dhe i vështirë për t’u mbuluar nga kundërshtari. Gëzon një formë shumë të mirë dhe ishte protagonist në aksionin perfekt të golit të tretë. Punon shumë për ekipin.

Frederik Veseli (pa notë)

Më pak se 10 minuta në fushë, duke zënë vendin e Kukelit të dëmtuar. Nuk mund të jepet një vlerësim i drejtë, edhe pse ai përpoq të bënte më të mirën në mbrojtje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *