Arlind Kalaja pa kontratë, sytë nga Italia

Mesfushori nuk ka kontratë me Vllazninë dhe duket se ka ardhur momenti që të bëjë kapërcimin e madh në karrierën e tij

Preferencat e Arlind Kalasë për futbollin italian janë të njohura prej kohësh. Nuk bëhet fjalë për një tifoz italian, por për synimet e vazhdueshme, që mesfushori shkodran ka pasur për të gjetur një strehë serioze në futbollin matanë Adriatikut. Për të ka kohë që interesohet një kompani menaxheriale futbolli me seli në Itali, pjesë e së cilës është edhe Gëzim Hysaj, babai i futbollistit të Kombëtares, Elseid Hysajt. Me ndërmjetësinë e shkodranit që kryen detyrën e agjentit në këtë kompani, Kalaja thuajse e bëri punë të kryer sezonin e kaluar transferimin në tokën italiane, ku më pranë se të gjithë ishte Peskara. Por problemet në dokumentacion dhe disa lëvizje organizative të momenteve të fundit në klubin italian, ia prishën planet.

Gjithsesi, edhe pse me vonesë, Kalaja iu bashkua skuadrës kuqeblu dhe pas përkushtimit disajavor në procesin stërvitor, arriti të kapte hapin e shokëve për të vijuar me sukses aktivizimin në Superligë në përbërje të Vllaznisë. I gëzuar dhe i kënaqur që arriti të kontribuonte për qëndrimin në Superligë, Kalaja tashmë duket se po mendon largimin. Dhe destinacioni kryesor mbetet Italia, aty ku prej kohësh e ka pasur dëshirën dhe që patjetër dëshiron ta bëjë realitet. Përpos kësaj, Arlindi ka dëshirë të bëjë realitet edhe një dëshirë të babait të tij, Mondi Kalajës, shumë i njohur në Shkodër për pasionin ndaj futbollit. Ndër të tjera ai e ka shprehur hapur dëshirën se dëshiron ta shohë djalin e tij të jete pjesë e futbollit italian. Në fakt, babai i Arlindit për momentin gjendet i shtruar në një nga spitalet e kryeqytetit, në gjendje aspak të mirë shëndetësore, por mendjen e ka te djali dhe e ardhmja e tij.

Nga sa bëhet e ditur, menaxheri i tij ka filluar kontaktet me kolegët e tij italianë dhe se shumë shpejt pritet një lajm zyrtar, që do të thotë se, nëse marrëveshja me klubin e ri do të konkretizohet, Kalaja nuk ka pengesa nga klubi shkodran, pasi në fund të majit kontrata me të i ka mbaruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *