FSHF “zgjohu”, pse të mos nisim revolucionin nga Tramexani?

 

Ish-ndihëmsi i De Biazit e ka ëndërr të fshehur të udhëheqë stolin kuqezi, por do ta bënte vetëm në rast se do t’i lejohej të  merrte vendime absolute dhe të koordinonte ekipet e moshave… 

Nga Anton Cicani

“Nuk e di se çfarë do të bëj në të ardhmen, por natyrisht që kush s’do të donte të drejtonte Shqipërinë…”. Dy vjet më parë, Paolo Tramexani, në një intervistë të gjatë për “Sport Ekspres”, teksa konsumonte kafen e mëngjesit pranë zyrave të federatës, do të pranonte se dëshira për të qenë ai i pari në stolin kuqezi ishte e madhe dhe se, nëse do t’i jepet ky shans, do të pranonte menjëherë. Madje, edhe nga drejtuesit e FSHF-së është parë gjithmonë me syrin e një punëtori të palodhur, që fluturonte ditë e natë në kërkim të talenteve, duke i takuar dhe bindur. Nga fshatrat më të humbur te zonat industriale dhe klubet e mëdha, duke sfiduar edhe federatat “armike”, sa i përket “rekrutimeve”.

U largua me një “mund të rishihemi në të ardhmen!”… Paolo Tramexani dhe Armand Duka u ndanë kështu, teksa rrugët mund të kryqëzohen, tani ose ndoshta shumë më vonë. Por, fakti është se në mendjen e trajnerit italian, Shqipëria është padiskutim vendi më i bukur ku ka kaluar mirë dhe ka ndjerë atë dashuri dhe suport të cilin nuk është se e gjeti në Zvicër, aty ku sigurisht te Lugano u ndje padiskutim i vlerësuar, por pati edhe disa fërkime të vogla kur gjërat nuk shkonin mirë. Pikërisht kjo ka qenë “hakmarrja” e Paolos ndaj presidentit Renxeti, që sot ka lëshuar “vrer” ndaj tij, duke e quajtur një trajner të aftë, por që e ka zhgënjyer si njeri, pasi ka vepruar pas krahëve të tij, duke i ftuar lojtarët e tij ta ndjekin te Sioni, pasi është pranë firmës.

Lugano ishte thjesht një farë trampoline dhe asgjë më shumë. Sikur Paolo të thoshte “e patë, ja vlerat e mia si trajner”. Nga vendi i tretë nga fundi në Europa League dhe me një buxhet thuajse qesharak. Një si Paolo do të ishte padiskutim një “lindje e re” për Shqipërinë, që do të hidhte bazat për të ardhmen. E njeh grupin, i njeh të rinjtë dhe është në dispozicion të kombëtares 24 orë në 24. Ka një problem që lidhet me largësinë e familjes, por ajo zgjidhet, ashtu sikurse bëri në plot katër vjet.

Gjithçka është në dorën e Armand Dukës, që të nxitojë dhe të bëjë çmos që ta “rrëmbejë” nga merkato, pasi Sioni po pret me kontratën mbi tavolinë, ndërsa Hamburgu e ka menduar si sugjestion. Jo vetëm kaq, por pasi Di Françesko ka shkuar te Roma, vendi i stolit të Sasuolos është bosh dhe pikërisht Tramexani shihet si një ide.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *