Shpresa e së ardhmes nis nga “vitrina” me Francën!

 

Në Kavajë, “të vegjlit” e Bushit kanë gjetur atë qetësi e cila shërben për të përgatitur dy sfida tepër të rëndësishme, duke ëndërruar që të përsëritet ajo fitore ndaj gjelave 2 vjet më parë në Elbasan nga kombëtarja e madhe

Reportazh nga Fatmir Efica

Bënte vapë, ashtu si tani, edhe pse ndryshonte data dhe viti… Megjithatë, muaji ishte po ky që flasim. 13 qershor 2015… Goli spektakolar i Ergys Kaçes në minutën e 43’ bëri që të gjithë të marroseshin pas tij. Ishte miqësorja e luksit Shqipëri-Francë.  Fitoi Shqipëria 1-0 në “Elbasan Arena”. As më pak e as më shumë por me një skuadër kalibri të kontinentit tonë. Francën që, në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me atë organizim fantastik e shembullor mori përsipër finalet e “Euro 2016”. Jemi dy vite me vonë nga kjo fitore e bukur dhe e paharruar. Tani është Shpresa, U-21 vjeçarët e Shqipërisë që kanë rastin të përsërisin, mbase “fotokopjojnë” atë që kishte bërë dy vite më parë kombëtarja e De Biazit. Alban Bushi, që drejton sot Shpresën, si një nga “bomberët” më të mirë të Kombëtares kuqezi të Shqipërisë (pas Erjon Bogdanit), edhe vetë kur luante me Kombëtaren ishte një “lider” në sulm. Tani si trajner i Shpresës Alban Bushi nuk e fsheh faktin se po i përgatit me shumë kujdes dy sfidat e radhës. Fillimisht përballë Francës është gjithnjë kënaqësi të luash. Këtë veçmas Bushit e stafit teknik të Shpresës sonë e dinë më mirë të grumbulluarit. 25 futbollistët që janë në gatishmëri për këtë miqësore e 5 qershorit në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë e një javë më vonë më 12 qershor, për kualifikueset e Europianit, ku do të kenë përballë Estoninë. Kundërshtarët vërtetë janë të ndryshëm për nga niveli, por motivimi i Shqipërisë duket se do të jetë i njëllojtë dhe i pandryshuar për nga objektivi i arritjes së rezultatit pozitiv.

Prej dy ditësh, nga e enjtja deri të shtunën Shpresa nga “Hotel Dyrrah” që është në një zonë “perlë” të Plazhit të Durrësit e deri në Kavajë, U-21 e përshkojnë këtë aks dy herë në ditë. Kanë zgjedhur fushën ideale të stadiumit “Besa” të Kavajës për të kryer përgatitjet e tyre mjaft serioze. Mikpritja kavajase ka qenë shembullore dhe kushtet e punës për stërvitje ideale. Për këtë Bushi nuk di nga ti nisë “elozhet”. Nejse. Kjo ka pak rëndësi. Në raport me ato impenjime mbi thirrjen e futbollistëve shqiptarë që tashmë kanë një “gjeografi” interesante prej vendeve nga vijnë, pasi luajnë në 8 shtete të ndryshme. Mrekullohesh me faktin se tani “mazhorancën” e këtij grupi e përbëjnë futbollistët nga kampionatit i kategorisë superiore të Shqipërisë, plot 9 të tillë dhe mandej vijnë 6 që luajnë në Itali, 4 në Greqi, 2 në Zvicër dhe nga një lojtar në Gjermani, Danimarkë, Spanjë dhe Kroaci. Për herë të parë Bushi ka tentuar të afrojë edhe dy lojtarë më të “njomë” që i përkasin U-19. Janë Valdrin Rashica që mbylli një sezon fantastik në Gjermani me të rinjtë e Kaiserslautern duke shënuar 20 gola. Është dhe Sheni Kallaku me Kremonezen, që ndonëse është ekip i Lega Pro, dikur ka qenë pjesë e serisë A dhe B Italiane. Të dy këta debutues duken interesantë për nga freskia që sjellin. Po ndoshta edhe ca më tepër se sa kaq. Nga përbërja e grupit U-21 janë dy portierë, 9 mbrojtës, 10 mesfushorë dhe 4 sulmues. Raporti në shifra mbase nuk e “tregon” asgjë nga skemat që po “bluan” trajneri Alban Bushi me stafin e tij.

Spikasin te Shpresa aktuale e Shqipërisë edhe disa emra që vërtetë konsiderohen tepër të rëndësishëm për Shpresën si Kejdi Bare që luan te Atletiko e Madridit e stërvitet me të famshin Diego Simeone. Endri Çekiçi, që i ka ngjarë babait të tij nga emri, pogradecarit të mirënjohur Ylli Cekiçi. Po dhe lojtarë nga Superliga si talentet Rubin Hebaj e Ardit Krymi të Vllaznisë, Albi Doka, Grent Halili e Marlind Nuri të Tiranës,  “zbulimi” Krisel Abazaj i Luftëtarit, Ylber Ramadani i Partizanit, pa harruar dhe të tjerët si portierët Elham Kastrati i Teutës apo Gentian Selmani i Lacit.

Parapërgatitjet për dy sfidat shtëpiake Shqipëri – Francë miqësore më 5 qershor dhe Shqipëri – Estoni për kualifikueset e Europanit kanë “ndezur” ëndrrën e pasionin e fuqishëm të këtij brezi futbollistësh që kërkon nën moton “ti ngjajë Kombëtares” të mundë Francën në miqësore, të bëjë futbolldashësit shqiptarë, të besojnë dhe ëndërrojnë fort se ajo që arriti Kombëtarja duke shkuar në finalet e vjetshme të “Francë 2016” është një ambicie që nuk mbahet më fshehur dhe nga brezi aktual i 21-vjeçarëve shqiptarë. Kjo Shpresë e ka tepër të qartë misionin e saj duke kërkuar ta nderojë fort emrin e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *