Andoni shkëlqen në Greqi, i ati: FSHF premtoi, por e harroi tim bir

Anton Cicani

Si mund të ndihet një baba që sheh të birin duke ndjekur ndeshjet e Shqipërisë teksa disa lot i rrjedhin në faqe? Nuk mund ta imagjinojmë, për të vetmin fakt se Nardi Andoni ka disa vjet që e përjeton këtë situatë të vështirë emocionale. “Im bir e imagjinon veten me atë fanellë, por nuk e di nëse do të vijë ajo ditë ndonjëherë…”, shprehet ai në një rrëfim ekskluziv për “Sport Ekspres”… Pa doreza, me zemër të hapur, ajo e një prindi që dëshiron më të mirën për djalin e tij. Quhet Fatjon Andoni dhe në moshën 1-vjeç e gjeti veten në Greqi, bashkë me familjen. Vështirësitë financiare dhe emigrimi solli këtë gjendje. Aty u rrit në Athinë, ndërsa sot është lojtar me më shumë se 150 ndeshje mbi supe, si profesionist. Një sakrificë e familjes për një mesfushor që konsiderohet si një “gladiator” në Greqi…

Na shpjegoni pak çfarë po ndodh, pse vendosët që të tregonit këtë histori?
E thjeshtë. Nuk mund të duroj dot të shoh tim bir duke vuajtur, teksa në të vërtetë tregohen vetëm gënjeshtra në medie nga ana e drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërsa më keq është ajo që tregon trajneri
Në ç’kuptim?
E keni parë se thotë shpesh po shohim lojtarë nga e gjithë Europa dhe bota madje… Epo, Greqia s’bën pjesë në Europë apo botë?! Pse nuk vjen këtu të shohë tim bir, që konsiderohet si ndër lojtarët më të mirë te Larisa dhe jo vetëm. i dhemb në shpirt kur shokët e skuadrës i thonë se pse nuk është pjesë e Shqipërisë. Madje, dikur ka refuzuar të luajë edhe për Greqinë, te moshat, kur e thërritën, pasi ka dëshirë vetëm te kuqezinjtë.
Por, a keni pasur kontakte me federatën?
Disa herë. Zotit Duka madje i kam çuar çdo vit mesazhe. Më ka thënë “do ta marrim, patjetër”, por më pas s’është bërë më i gjallë. Po tallen me tim bir, nuk është e drejtë kështu. Ose më saktë, preferojnë të grumbullojnë lojtarë që kanë mbyllur ciklin se sa të provojnë të ri.
Po de Biazi?
Njëherë e kam takuar. i kam folur dhe më tha do të kem parasysh. Por, e kanë kthyer kombëtare Zvicër-Itali. Dhe, sikur të flisnim për elitën, do të ishte e drejtë, por këtu po flasim për futbollistë që, me gjithë respektin, luftojnë për mbijetesë ose madje kanë rënë. Kaq keq qenka im bir? Nuk besoj.
Djali çfarë thotë?
Asgjë. Madje, nuk donte që unë të flisja, por si prind e kam të vështirë të hesht.
A e njeh FSHF Fatjonin?
Sigurisht, edhe Duka dhe Bushi e ka ndjekur personalisht. Por, vetëm premtime kanë mbetur, asgjë më shumë se kaq. Nuk po them që duhet të vishet kuqezi dhe të mos lihet më jashtë, por ama një shans t’ia japin, në miqësore. Nuk them që e kam Mesi djalin, por të paktnë të provohet, pse jo. Nëse nuk bën, do t’ia di për faleminderit gjithsesi.
Nga se vjen ky injorim?
S’e di, por kombëtarja vetëm sheh Zvicër dhe Itali. Vendet e tjera nuk ekzistojnë. Ose më saktë, Greqia. E të mendosh që djali im ka që në moshë të re që luan dhe madje ka ndërruar shumë skuadra. Kudo ka rezultuar i mirë dhe trajnerët e kanë dashur.
Çfarë mesazhi ke për drejtuesit e FSHF-së dhe De Biazin?
Provoni tim bir! Bëjani ëndrrën realitet. E kam rritur me sakrifica, ka ardhur në Greqi kur ishte vetëm 1 vjeç. Do të dëshironte më shumë se çdo gjë tjetër fanellën kuqezi. Ose, të mos themi që shohim kudo në botë. Sepse, kur shoh që në kombëtare grumbullohen edhe lojtarë që gjithë sezonin e kanë parë në tribunë, të duket një tallje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *