Të premten e kaluar, më datë 12 tetor, Ardian Mema prishi kontratën me Flamurtarin, ku ishte në rolin e zëvendës-trajnerit dhe nisi menjëherë punën te Tirana e tij. Skuadra ku ka kaluar të gjithë karrierën si lojtar dhe ka hedhur hapat e parë si trajner, në rolin e asistentit dhe më pas në ekipin B. Tashmë “gjaku bardheblu” u kthye në shtëpi, për të ndihmuar ekipin në një prej fazave të vështira.
Klubi 24-herë kampion e zyrtarizoi emërimin e trajnerit të ri, pas firmës së hedhur në kontratën 1-vjeçare, në praninë e presidentit Refik Halili. Në marrëveshjen e bashkëpunimit është parashikuar edhe opsioni për rinovimin për një tjetër vit. Sipas faqes zyrtare të Tiranës, Ardian Mema rikthehet në shtëpi dhe ky është një premtim pèër vazhdimësinë e skuadrës në këtë sezon.
Klubi e prezantoi trajnerin, edhe pse ai e kishte nisur efektivisht punën përpara 96 orëve. Koha shtrëngonte dhe Mema nuk priti: ai doli në stërvitje me ekipin prej së premtes së kaluar, ndërsa të shtunën zhvilloi edhe miqësoren e parë për të krijuar një ide të qartë rreth gjendjes dhe kualitetit të lojtarëve që ka në dispozicion. Një debutim për aventurën e parë në Kategorinë Superiore dhe në sytë e presidentit Halili.
https://www.instagram.com/p/Bo9tnEYF5Hr/?utm_source=ig_web_copy_link
Gjatë pasdites së kësaj të hënë, Mema u prezantua edhe përpara mediave. Ai foli për herë të parë si trajner i bardhebluve, në një dalje larg sharmit dhe komoditetit të sallës së konferencave, por në fushën e stërvitje. Kjo, për faktin se Tirana nuk ka kohë për të humbur dhe ekipi duhet të kalojë shumë kohë duke u përgatitur, për tu ngritur në nivelin që pretendohet.