FSHF dhe komunitetit i futbollit shqiptar festojnë sot 90-vjetorin e anëtarësimit në FIFA. Një përvjetor jubilar për një histori të mbushur plot me progres, suksese dhe zhvillime të mëdha për futbollin shqiptar në këto 9 dekada.
Në këtë përvjetor historik Presidenti i FSHF-së, Armand Duka përmes një video-mesazhi ka uruar komunitetin e futbollit, duke vlerësuar edhe transformimet e rëndësishme që janë bërë ndër vite, sidomos me mbështetjen e FIFA-s dhe duke theksuar faktin që ky përvjetor vjen në një moment shumë të rëndësishëm me Shqipërinë që po bëhet gati të presë për herë të parë finalen e madhe të UEFA Conference League.
Sot është një ditë shumë e rëndësishme për futbollin shqiptar. 90 vite më parë në Stokholm, Federata Shqiptare e Futbollit u pranua si anëtare e FIFA-s me të drejta të plota.
Në këto 90 vite rrugëtim, futbolli shqiptar dhe FSHF kanë kaluar ditë të mira e të vështira dhe kanë shënuar shumë suksese dhe hapa progresivë përpara. Sot 90-vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në FIFA e gjen futbollin shqiptar me një sukses shumë të rëndësishëm, në prag të organizimit të një finaleje europiane. Gjë që shumë vite më parë mund të ishte një ëndërr pothuajse e pabesueshme”, – thotë Presidenti Duka, teksa falënderon të gjithë ata që kanë dhënë kontributin dhe mbështetjen e tyre ndër vite për të mirën e futbollit shqiptar.
“Unë do të doja të falënderoja sot të gjithë ata që kanë kontribuuar për futbollin shqiptar në këto 90 vite. Do të doja të falënderoja në mënyrë të veçantë institucionet që e kanë anëtarësuar FSHF-në dhe kanë qenë largpamëse për institucionet e Shqipërisë. Do të doja të falënderoja të gjithë drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit ndër vite, futbollistët, trajnerët, të gjithë ata që kanë dhënë qoftë edhe ndihmën më të vogël për zhvillimin e futbollit shqiptar”, – thekson Duka.
Më tej, Presidenti i FSHF-së vlerëson bashkëpunimin mjaft të mirë me FIFA-n ndër vite dhe projektet e implementuara me mbështetjen e qeverisë së futbollit shqiptar.
“Do të doja gjithashtu të garantoja, si komunitetin e futbollit shqiptar, po ashtu edhe FIFA-n, që në Federatën Shqiptare të Futbollit do të gjejnë një partner serioz dhe të rëndësishëm, një partner i cili do të dijë të bashkëpunojë, një partner i cili do të dijë të implementojë çdo politikë të futbollit botëror në vendin tonë. Do të gjithashtu të garantoja se futbolli shqiptar do të ketë suksese akoma më të mëdha në të ardhmen në bashkëpunim dhe në mbështetje të plotë. FIFA ka qenë një nga aktorët kryesorë dhe të rëndësishëm në zhvillimin e këtij futbolli, me investime e financime. Mjafton të përmendim financimin e fundit, kryesisht Shtëpia e Futbollit që është ndërtuar me financimin e projektit Forward të FIFA-s, gjithashtu investimet për implementimin e projektit VAR, etj.
Edhe një herë e uroj të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar në këtë ditë të rëndësishme. Duke qenë që jemi në prag të një finaleje, mbase nuk është koha për të festuar sot, por në një ditë tjetër ne do të kemi një festë jubilare, më të madhe, duke ftuar të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar dhe ndërkombëtar për këtë vit të rëndësishëm të 90-vjetorit të pranimit në FIFA”, – deklaroi Presidenti i FSHF-së, Armand Duka në mesazhin e tij me rastin e 90-vjetorin të anëtarësimit të FSHF në FIFA.