90 minutat e çmendura të Maradonës dhe mbyllja me panik (Fotot)

Diego Armando Maradona shou! E nisi me një kërcim në tribunë me një tifoze nigeriane, për ta mbyllur me dy infermiere që qëndronin pranë tij, teksa ishte shumë pranë një gjendje emocionale të rrezikshme, me pulsin që i rrihte fort dhe shpejt, por sidomos këmbët nuk i bënin. “El Pibe de Oro”, sigurisht, e ka përjetuar më shumë se futbollistët në fushë fitoren e Argjentinës dhe kualifikimin në fazën e 1/8-ve. Nuk e mendonte kurrë që të kthehej në shtëpi, bashkë me Seleksionin e tij të dashur.

Në tribunë, kamerat ishin fokusuar vetëm te ai, në çdo moment. E teksa Mesi do të shënonte gol dhe çlirohej nga mallkimi, Maradona do të falënderonte Zotin, me duart ngritur nga qielli dhe më pas të kryqëzuara… Në duar, sakaq, mbante edhe një pankardë ku ishte figura e tij, në moshë më të re, me fanellën e Argjentinës.

Sakaq, barazimi i Nigerisë e futi në një heshtje të thellë, një inat që po rritej brenda tij, deri në shpërthim, kur Roho shënoi: Maradona tregoi gishtin e mesit, pa u menduar gjatë, duke festuar si i çmendur. Sigurisht, më pas, frika e madhe ishte gjendja e tij emocionale dhe paniku, i ulur në një kolltuk teksa i matej pulsi i lartë…

Kujdes Diego, Botërori sapo ka nisur…!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *