Nga Klaudio Ndreca
Sa herë që flitet me një lojtar të Partizanit dhe Tiranës, pyetjet më të dashura nga gazetarët për të nxjerrë edhe titujt e lajmeve, janë nëse do t’i ndërronin ndonjëherë fanellat e tyre. Pra nëse do të braktisin një ekip kryeqytetas, për të kaluar në anën tjetër.
Por Bruno Telushi do të jepte një deklaratë për “Fax Sport”, që ishte shumë më ndryshe nga të tjerat. “Shiko, ne jemi vërtet futbollistë profesionist. Edhe unë jam i tillë, por të iki nga Partizani tani dhe të kaloj te Tirana, nuk e shoh të mundur. Nëse mund të isha në një ekip tjetër dhe mund të shkoja, por nga Partizani është e pamundur të vete direkt atje. Është e vërtet që kur dashurohesh me këtë klub dhe këtë tifozeri, të shkosh te armiku i tyre, një burrë nuk e bën dot këtë…”
Pra nga njëra anë Telushi refuzon hapur mundësinë që t’i bashkohet Tiranës, të paktën jo mënjeherë sa është pjesë e Partizanit, por këto fjalë nuk tingëllojnë mirë për shokun e tij të skuadrës, Dorian Kërçiku.
Jo pak, por gjashtë vite do të qendronte ky mbrojtës tek bardheblutë, ndërsa në janar bëri kalimin më të zhurmshëm, duke u veshur i kuq. Pra e marrë në llogjikën e Telushit, edhe Kërçiku nuk është dashuruar mjaftueshëm me tifozerinë dhe klubin e Tiranës, pavarësisht gjithë kësaj kohe të gjatë që qëndroi në këtë skuadër.
Ndërkohë që vetë mesfushori ka thuajse dy vite që është pjesë e Partizanit dhe e ka kuptuar që lëvizje të tilla janë “të ndaluara”, në momentin që i lidhur me tifozët dhe stemën e klubit. Pra “goditja e dytë” vjen për mendimin e mesfushorit se në anën tjetër ka lojtarë që nuk janë të lidhur me ekipin. Sigurisht që këtu sillet lehtë në kujtesë edhe rasti i Bathës, por ky i fundit mund të bëj pak përjashtim, sepse mori autobuzin drejt Vlorës përpara se të kthehej në Tiranë, i veshur me ngjyra të tjera. /Sport Ekspres/