Një situatë aspak e këndshme ka ndodhur pas ndeshjes së Kosovës kundër Qipros, e cila u fitua nga vendasit me shifrat 3-0. Pas fitores, lojtarët e Kosovës kanë bërë një xhiro përreth stadiumit “Fadil Vokrri”, në mënyrë që të përshëndesnin tifozët e pranishëm. Rrahmani ka refuzuar të dalë jashtë fushës së blertë për t’ju bashkuar tifoz-grupit “Dardanët”, çka ka sjellë një episod të papranueshëm.
Kreu i “Dardanëve”. Lulzim Berisha, është përplasur me fjalë me kapitenin e Kosovës, teksa është dashur ndërhyrja e lojtarëve të tjerë për të qetësuar situatën. Berisha ka kërkuar falje publike për këtë situatë të ndodhur, e cila më pas është pranuar edhe nga FFK-ja. Federata e Futbollit të Kosovës ka lëshuar një komunikatë, ku e konsideron këtë çështje të mbyllur./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Reagimi i FFK-së:
Federata e Futbollit e Kosovës normalisht që është e informuar për rastin aksidental e të momentit që ka ndodhur pas ndeshjes së fundit ndërmjet Kombëtares sonë dhe Qipros, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Federata e ka përcjellë me shqetësim rastin në fjalë dhe në parim gjithnjë qendron në anën e futbollistëve të ekipit kombëtar, duke shfaqur mbështetjen dhe duke kërkuar respekt për ta.
Konsiderojmë që kërkimfalja që ka ndodhur ndaj kapitenit dhe futbollistëve shënon mbylljen e një rasti aksidental të momentit dhe shpresojmë se do të shërbejë si rast që do të lidhë edhe më fuqishëm ekipin dhe përkrahësit para sfidave të reja të kombëtares sonë.
Përtej kësaj Federata, çmon shumë dhe shpreh falënderimin e vet për të gjithë tifozët dhe shikuesit që e përcjellin dhe e përkrahin ekipin kombëtar, por kërkon nga ta që të shfaqin respektin fillimisht për futbollistët e ekipit tonë kombëtar, mirëpo edhe për të gjithë akterët tjerë të ndeshjes, përfshirë edhe ekipin kundërshtar.
Ne dhe futbollistët e ekipit kombëtar e kuptojmë saktë dhe drejt reagimin e tifozëve, por në të njëjtën kohë nuk do të lejojmë që reagimet të cenojnë respektin për asnjë prej anëtarëve të ekipit kombëtar.
Në të njëjtën kohë, FFK-ja kërkon nga të gjithë anëtarët e saj, përfshirë edhe futbollistët e ekipit kombëtar, që të shfaqin respektin e duhur për të gjithë tifozët dhe shikuesit që vijnë për të përkrahur kombëtaren pa kushtëzim, në numër maksimal sa lejon kapiciteti i stadiumit, sepse janë ata që i japin emocion lojës së futbollit.
Ekipi kombëtar është i të gjithë Kosovës, prandaj ta duam dhe ta përkrahim secili duke dhënë kontributin nga këndi i vet.