I rritur në tokën e Ibrës, rrëfehet Elmando Gjini, i riu që e krahasojnë me Bonuçin dhe që shembull ka Van Dijk

Nga Suedia, në Itali dhe më pas në Portugali. Edhe pse në moshë të re, në gusht feston 21 vjetorin, Elmando Gjini ka fituar ekperiencë dhe ka arritur hap pas hapi të kalojë nëpër të gjithë Kombëtaret e moshave. Tani shtatlarti i mbrojtjes është pjesë e Shqipërisë U21 dhe synimi i tij është të bëhet një lojtar i madh e të ndjekë hapat e Virgil Van Dijk. Gjini është rrëfyer në rubrikën “Talenti shqiptar” dhe tregon lidhjen e tij me futbollin, krahasimet me Bonuçin, objektivat që ka dhe sigurisht flet edhe për grumbullimin në Kombëtare për herë të parë.

“E kam nisur si gjithë të tjerët, në moshë të vogël ëndrrën për t’u bërë futbollist. Të gjithë ishin me makina, kurse unë me topin në këmbë. Futbollin e kam pasion, e kam në gjak”, shprehet në fillimin e rrëfimit të tij Elmando Gjini. Qendërmbrojtësi në rrugëtimin e tij ka pasur gjithmonë mbështetjen e familjes e më shumti të babait.

“E gjithë familja më ka mbështetur gjithmonë, por babai më së shumti. Ai nuk ka humbur asnjë stërvitje timen e normalisht as ndeshje. Gjithmonë më ka mbështetur në hapat që kam hedhur në futboll. Ai është personi i cili më ka frymëzuar”, tregon Gjini. Në futboll dhe në jetë përgjithësisht është e vështirë t’i shmangësh krahasimet dhe kjo ndodh edhe me mbrojtësin 20-vjeçar.

“Të gjithë më thonë se ngjaj me Leonardo Bonuçin, për teknikën dhe qetësinë që kam me topin. Jam një mbrojtës modern. Edhe pse jam 2 metra i gjatë, kam fatin të kem teknik dhe shpejtësi këmbësh. Kjo gjë më ka favorizuar shumë”, shtoi qendërmbrojtësi, i cili më pas kujton edhe grumbullimin e parë me Shqipërinë.

“Kam qenë shumë i lumtur dhe krenar kur më kanë ftuar në Kombëtare. Luajta për herë të parë me Shqipërinë U17 në kualifikueset e Europianit. Trajner ishte Mustedanagic dhe më dha mundësinë të luaja ndaj Kroacisë dhe titullar ndaj Spanjës. Falë Kombëtares jam këtu ku jam, ndaj jam shumë mirënjohës”, shprehet Gjini. I pyetur nëse ka ndonjë arritje të deritanishme për të cilën ai është krenar, shtatlarti shprehet:

“Unë nuk është se kam fituar shumë tituj, por gjithmonë kam dhënë maksimumin në fushën e lojës. Çdo vit bëhem lojtar më i mirë dhe kjo është për mua shumë e rëndësishme”. Elmando ka luajtur në Suedi, para se të kalonte te Bologna në Itali. Tashmë kartonin e tij e zotëron Genoa, ndërsa sezonin e fundit ka qenë në huazim tek Amora në Portugali. Për të nuk ka qenë e lehtë për të bërë të gjitha këto lëvizje, por mendon se ia ka vlejtur.

“Në fillim ka qenë e vështirë, por unë jam një person që kam shumë besim në vetvete. E dija që e gjithë kjo sakrificë do të dalë për mirë, por akoma duhet të vazhdoj të luftoj. Kam fituar eksperiencë të madhe, kam marrë taktikën dhe grintën e Italisë, ndërsa tani teknikën e Portugalisë. Kjo më bën mua një lojtar më të kompletuar”, deklaron Gjini, i cili flet edhe për lojtarët e preferuar.

“Lorik Cana më ka pëlqyer shumë si lojtar. Edhe pse e ka mbyllur me futbollin e luajtur, ai mbahet mend dhe për mua kjo është shumë e rëndësishme. Nga lojtarët e huaj më pëlqen Zlatan Ibrahimovic, jo vetëm si lojtar, por edhe si personazh”, shton qendërmbrojtësi i Shqipërisë U21, ndërkohë që vijon rrëfimin e tij në lidhje me objektivat që ka.

“Pritshmëritë janë të mëdha. Kam edhe një vit kontratë me Genoan. Le të shohim se çfarë do të ndodhë më vonë. Synimi im është të arrij në nivelet më të larta dhe të luaj në kompeticionë të rëndësishme, si Champions League. Do kisha dëshirë që të ndiqja gjurmët e Van Dijk të Liverpool”, u shpreh i riu.

Në fund Elmando Gjini, i pyetur se si e shikon të ardhmen e Shqipërisë në futboll duke parë se sa shumë lojtarë po luajnë në ligat e mëdha, deklaroi: “Shqipëria ka një të ardhme shumë të mirë, është gjithmonë në rritje. Edhe tani mendoj me të vërtetë se mund të shkojnë në Europian”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *