Trajneri Fernandez duhet t’i shohë të gjithë për të bërë seleksionimet, ndërkohë që mungon përgatitësi atletik dhe ai i portierëve
Gëzim Beqiri
Nga 18 futbollistë, që stërviteshin një javë më parë në Gjirokastër, numri i tyre në tri ditët e fundit, me ardhjen trajnerit Daniel Fernandez, ka shkuar në më shumë se 40. Tani stafit teknik i duhet të vendosë për më shumë se 25 futbollistë, po të kihet parasysh se 13-14 prej tyre janë të palëvizshëm nga ekipi, jo vetëm se janë edhe një sezon nën kontratë, por edhe sepse ishin titullarë me Luftëtarin. Shumica e futbollistëve që po testohen janë gjirokastritë, por ka edhe të ardhur nga ekipe të tjera. Tre prej tyre ka shumë mundësi të mbeten pjesë e Luftëtarit edhe nga fakti se janë vëzhguar më parë nga drejtuesit e tij, por i është lënë në dorë stafit të ri teknik të vendosë për të ardhmen e tyre. Janë elbasanasit Toçi dhe Dosti, si dhe i riu nga Delvina, Janko, që më parë ka qenë me ekipin e të rinjve të Partizanit. Ka edhe shumë që janë duke u testuar dhe për të dhënë një mendim, më të drejtë trajneri Fernandez është duke i vëzhguar në dy seanca stërvitore në orë të ndryshme. Për të pasur një mendim sa më të pavarur dhe të mos krijojë iluzione se ka një paramendim për futbollistët e rinj, sidomos për ata vendës, ai nuk ka komunikuar me asnjërin prej tyre dhe nuk ka marrë të dhëna të tjera. Për këtë qëllim ka improvizuar katër skuadra, por me një ndarje preferenciale për futbollistët. Pas tri ditëve, sot paradite do të zhvillojë me grupin e parë stërvitjen, ku do të bëjë në fund edhe seleksionimet e para. Nga 25 futbollistët e ardhur, shumë pak do të mbeten në grupin, që do të përbëjë edhe listën përfundimtare të federimit, sepse priten edhe disa futbollistë të tjerë nga jashtë vendit. Në provë ka ardhur edhe tepelenasi Bregasi, i cili është aktivizuar në Greqi me Levadhiakosin.
MANGËSITË NË STAF – Mangësinë më të madhe duket se stafi teknik e ka me kohën, sepse kanë mbetur vetën 25 ditë deri në fillimin e kampionatit. Me kompletimin e grupit, në fundin e javës së ardhshme, është parashikuar që faza përgatitore të vazhdohet në Veria të Greqisë, ku Luftëtari u përgatit edhe një vit më parë. Por mangësi mund të konsiderohet edhe mungesa e përgatitësit atletik dhe atij të portierëve, të cilët ende nuk bëhen të ditur, duke u mjaftuar më thënien se do të vijnë nga Greqia. Rëndësi ka që skuadra ka filluar nga puna me një dyshe trajnerësh, që duket se e ka marrë seriozisht përgatitjen e lojtarëve, duke punuar më shumë se 4-5 orë në ditë në fushën e stërvitjes.