4 gola në 10 ndeshje/ Bakaj, portieri më i mirë i… Kosovës!

Nga Prishtina ne Brijeg janë më shumë se 550 kilometra, gati tetë orë me makinë. Atje në Bosnjë luan Shiroki, një skuadër deri diku e fortë, që në 2008 luajti në Europa Ligë kundër Partizanit. Portier në atë ndeshje ishte Edvan Bakaj, 18 vjeç. “Ne e gjetëm portierin për 10 vitet e ardhshme”, tha asokohe presidenti i Partizanit , Albert Xhani. Gjërat shkuan ashtu si shkuan. Ajo ndeshje përfundoi 0-0 dhe bakaj i priti të gjitha.

Tani, 11 vite më vonë, Bakaj udhëtoi drejt Drenasit të Kosovës i bindur se ëndrrat e fëmijërisë duke u rritur tanimë janë të parealizueshme dhe në jetë duhet të mësohesh të jesh me këmbët në tokë dhe të jetosh realitetin. Me që ra fjala, Shkëmbi kur e përzgjodhi si portier të Lirisë tha: Do jetë më i miri në Kosovë që luan me këmbë nga gjithë portierët. Liria fitoi 1-0 jashtë fushe sot, ndërkohë që në 10 javë Bakaj ka pësuar vetëm 4 gola. Pa asnjë diskutim statistika më e mirë e portierëve. Atje në Kosovë ka rigjetur shpirtin e humbur. Pas disa vitesh mes skuadrave që nuk besonin shumë dhe një përvojë tre-vjeçare te Tirana ku më shumë qëndronte në stol sesa luante, mori vendimin e jetës. “Do iki diku tjetër. Me të njëjtat para, thjesht të luaj”. Të jesh portier dhe të qëndrosh rezervë duhet të jetë një torturë. Kur ishte fëmijë ëndërronte të bëhej si Benxhi në serialin e famshëm me kartonë. Djali i xhaxhait të tij Elis Bakaj donte ishte Oli. Jeta nuk është film.

Nën zë thonë që kapiteni i vërtetë në skuadër është bakaj. Ai ka karizmën e duhur, është jashtëzakonisht një lider në dhomat e zhveshjes dhe është pak a shumë një pikë bashkimi mes shqiptarëve që kanë ardhur nga Shqipëria dhe atyre që kanë ardhur nga Kosova.

Në të shkuarën ka luajtur pak a shumë kudo. Ka provuar ekipe madje edhe si Luftëtari e Laçi, asnjëherë nuk e ka pasur problem që të marrë dorezat në duar dhe të ikë larg shtëpisë. Në Kavajë pati sens protagonizmi duke fituar Superkupën, ndërsa te Tirana kishte një moment ku fitoi vendin e titullarit dy vite më parë. 6 muaj në portë, vetëm 6 gola të pësuar. Më pas erdhi Ilion Lika dhe duhej sërish të ulej në stol.

Kundër Feronikelit ishte sërish vendimtar me dy-tri pritje, ndërkohë që gjithnjë e më shumë po bëhet një nga pikat më të forta të ekipit të Shkëmbit. Bakaj nuk është një nga ata që kërkon hakmarrjen apo rikthimet. Ku i dihet, Kosova mund të jetë sërish një përvojë që mund të zgjasë më shumë se një vit. Sikur të qe ca centimetra më shumë do ishte ndoshta Benxhi. Për momentin është i lumtur që është Vani. Ëndrrat e fëmijërisë i ka futur në sirtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online